Biznesmeni Kadri Morina, në një intervistë për Report TV, ka rrëfyer takimin me Papa Françeskun, drekën në restorantin e tij gjatë vizitës së Atit të Shenjtë në Tiranë në vitin 2014, si edhe vlerësimet që ka marrë prej tij. Ai tregoi se Papa ishte impresionuar nga ushqimi, të cilin e kishte vlerësuar si më të mirin që kishte ngrënë. Morina tregoi gjithashtu se në Muzeun e Vatikanit qëndron një foto e tij me të birin dhe Papa Françeskun.
“Ka qenë diçka e veçantë për jetën time. Në kontaktin që bëri ambasada e Vatikanit, kërkoi që t’i gatuanim për Papa Françeskun. Isha i impresionuar sa arrita të them që të punoj kamarier që të takoj Papën, jo më thanë do të ulesh në tavolinë me të. Ishte një emocion, aq më tepër se jam mysliman. Tregoi atë që ka thënë në Tiranë, që populli shqiptar nuk ka harmoni por ka vëllazëri fetare. Ky ishte një njeri i veçantë nga të gjithë papat e tjerë, se ka punuar, luftuar për të dobët, fukarenjtë, është munduar të japë paqe në botën myslimane, katolike, kështu që ishte privilegj i jetës time. Ishte me të gjithë stafin, ngriti gishtin dhe tha ‘Kush është kuzhinieri këtu, ‘është ushqimi më i mirë që kam ngrënë në jetën time’. Aty ishte edhe djali im 6-vjeçar dhe kjo foto është në muzeun e Vatikanit, si një fotografi e veçantë ku djali i shtrëngon duart Papës rastësisht. Pra, aq i mrekulluar ishte edhe për këtë.”, u shpreh Morina, duke treguar edhe porosinë që kishte bërë: fileto viçi me lëng, sallatë dhe ëmbëlsirë.
Biznesmeni tregoi se pas një muaji ishte vlerësuar me medalje nga stafi i Papa Françeskut.
“Ishte moment sinjifikativ, ku pas një muaji, Papa, aq njeri social dhe mirënjohës ishte, dërgon disa medalje për të gjithë punonjësit e Piazza, dhe një medalje kryesore që më dërgon personalisht. Nga 4 mijë medalje është e 319 që më ka dërguar mua për shërbim ndaj Papës. Për këtë jam shumë krenar.”, shtoi Morina.
Morina është vlerësuar gjithashtu edhe në një kishë të Rio de Janeiro, në hyrje të së cilës ndodhet një pllakatë me emrin e tij. Biznesmeni tregoi se pllakata ishte një vlerësim nga Papa Françesku ndaj tij për një shtatore të Nënë Terezës që kishte dërguar në kishën në fjalë.
“Unë babën e kam pasur praktikant mysliman dhe kur pyes se kështu kështu kam vendosur, më thotë dëgjo, ti je njeri i bekuar që të vjen Papa për t’i gatuar dhe ne në vendin tonë në Kukës, kumaritë i bënim katolikë. Kumari është fjala më e besueshme e një njeriu që fut në shtëpi. Ndihem krehar dhe i privilegjuar. Kam pasur edhe një rast me Papa Franceskun që ta takoj në audiencë. Për mua ka dërguar një kardinal në Rio de Janeiro, ku ka mbajtur një peshë të madhe për nder se çova shtatoren e Nënë Terezës në Kishën metropolitanë të Rios, ku në derë të kishës, më nxorrën pllakatën dhe sot është në derë të kishës, ku shkruhet Kadri Morina, mik special i papës. Jam i privilegjuar që kam pasur këtë fat.”, theksoi Morina.
Biznesmeni tregoi se ka pasur mundësinë ta takojë Papën edhe në audiencë, të cilit i kishte kërkuar edhe që të bënte diçka për njohjen e Kosovës.
“Në audiencë i kam thënë një fjalë, i nderuar atë ju lutem shikojeni jjohjen e Kosovës. Më bëri një buzëqeshje dhe më pas se do t’i vijë edhe asaj.”, u shpreh Morina.
Biznesmeni Morina tregoi se vetë është mysliman, por shtoi se përveç ndërtimit të xhamive në vend, ka kontribuuar edhe për kisha.
“Kisha e parë është ajo në Han të Hotit nëpërmjet një prifti që erdhi dhe kërkoi transportin për materialet dhe më thotë sa është pagesa. I thashë jo vetëm që s’do të marr pagesë por do të kontribuoj për ndërtimin e asaj kishe. Kam bërë edhe xhami. Në Shqipëri nuk vihet re me kë po bëhen matersat, me katolikë apo myslimanë. Unë kam martuar tre vajza të xhaxhallarëve të mi me katolikë, kështu që është diçka e mrekullueshme që rrallë popull e ka. Bashkëjetesa fetare është një trashëgimi që na e kanë lënë të parët tanë.”, u shpreh ai.
Komente
