Xhakarta- Autoritetet ligjzbatuese në Indonezi njoftuan se kanë arrestuar 7 persona, të dyshuar se po përgatisnin një sulm terrorist gjatë vizitës së Papa Françeskut dhe eskortës së tij, i cili zhvilloi një tur në vendin aziatik.
Një hark dhe shigjetë, një dron dhe material propagandistik nga Shteti Islamik u kapën, e sipas hetuesve, gati për të goditur në Xhakartë gjatë vizitës së Papës.
“Policia indoneziane raportoi se ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për përgatitjen e një sulmi kundër Papa Françeskut gjatë vizitës së tij, në vendin më të populluar mysliman në botë. Njësia kundër terrorizmit Densus-88 njoftoi se arrestimet u kryen në qytetet Bogor, 50 kilometra larg Xhakartës dhe Bekasi, në lindje të zonës metropolitane të kryeqytetit”, njoftuan autoritetet, sipas raportimit të “La Repubblica”.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, u gjet material që tregonte se ata po përgatitnin një sulm kundër Papës, i cili lëshoi një mesazh uniteti fetar nga Xhakarta, për të luftuar ekstremizmin dhe intolerancën.
Zëdhënësi i Densus-88, Aswin Siregar, shpjegoi se “hetimi është ende në vazhdim dhe është e paqartë nëse të shtatë e njihnin njëri-tjetrin dhe nëse ishin pjesë e një celule të vetme terroriste”.
Hetimet mbeten ende aktive dhe pritet zbardhja e dëshmive dhe gjetja e provave që çojnë te dyshimet e arsyeshme.