2 Marsi, Klosi në Repolitix: Nuk është normale, zgjidhja e vetme kompromisi! Kalemaj: Tubimi do masë forcën e dy kampeve

26 Shkurt 2020, 21:18| Përditesimi: 26 Shkurt 2020, 22:55

  • Share

Thirrja e popullit në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' më 2 Mars nga presidenti Ilir Meta ka nxitur debate të shumta në politikën e vendit. Ky debat u zhvillua edhe në studion e emisionit "Repolitix' ku të ftuarit ishin ish kreu i SHISH, Fatos Klosi, ish ambasadori Agim Nesho, ish anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri dhe analistë Ilir Kalemaj ku dhanë mendime të ndryshme se si e shihnin këtë tubim.

Për ish kreun e SHISH, Fatos Klosi tha se kjo ishte një thirrje absurde dhe aspak normale, pasi nuk mund të konceptohet që presidenti të dalë kundër Kryeministrit dhe të thërrasë popullin. Klosi tha se ky ishte një mesazh i gabuar dhe se në fund nuk do arrihet të kuptohet se nëse populli do ta mbështeste atë apo jo, pavarësisht numrit të mbledhur në shesh.

'Situata është shumë e rëndë, që presidenti të dal kundër kryeministrit dhe t'i bëj thirrje popullit. Po jepet një mesazh i gabuar në popull. Unë se quaj normale, dhe vetë s'do kuptoja asgjë nga ky takim i Metës me popullin. Nuk mund të them dot se populli do mbështesë Metën pavarësisht numrit të mbledhur. Zgjidhja e vetëm është kompromisi mes palëve', tha Klosi.

Ndërsa për analistin Ilir Kalemaj, ky tubim do të jetë një matës i forcës që do të përcaktojë dhe të ardhmen politike të Metës. Ai tha se nëse Meta mbështetet nga populli atëherë do të hapen shtigje të reja për të në politikë, por nëse mbështetja është e vogël atëherë do të kthehet në një bumerang për të duke i dhënë dhe më shumë arsye mazhorancës ta shkarkojë.

'Meta është zhveshur nga kostumi Presidentit dhe ka marrë rolin e opozitarit. ky tubim për mua është matje e forcave. nëse ka pjesëmarrje të madhe kjo do të krijonte çeljen e shtigjeve të reja politike, por nëse nuk ka mbështetjen popullore do t'i kthehet në bumerang, që mund të shfrytëzohet nga mazhoranca për të kryer shkarkimin e tij', tha Kalemaj.

Ndërsa për Edvin Kullurin tubimi i presidentit Meta është 100 % i drejtë për shqetësimet që nge. Ai tha se Meta po planifikon lëvizjen e tij politike dhe se në tubim do dalë kundër Ramës që ka fajin kryesor që prishi radhën e zgjedhjes së anëtarëve të Kushtetueses dhe Bashës që i la në dorë të gjitha pushtetet.

'Presidenti Meta ka të drejtë 100 % në shqetësimin që ngre. Meta nuk del vetëm kundër Ramës por dhe Bashës. Presidenti ka dalë me prova se kanë prishur radhën e emërimeve në gjykatën kushtetuese, ndërsa këto i përgjigjen me retorike 'je çmendur', tha Kulluri.

Ora 21:32
Kulluri: Pa u zgjidhur çështja Kosovës, marrëdhëniet me Serbinë e Rusinë janë zero

Ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri tha në Repolitix se kur PD ka qenë në pushtet marrëdhëniet me Rusinë kanë qenë zero dhe jo më të flitet për marrëveshje të veçanta. Ai tha se pa u zgjidhur çështja e Kosovës, Shqipëria nuk do të ketë dot marrëdhënie me Rusinë dhe Serbinë.  Kulluri tha se marrëdhënie të mira me Serbinë ka vetëm Rama por jo Shqipëria.

'Në 2005 bashkëpunimi me Rusinë ka qenë zero dhe as nuk është shtruar ndonjëherë  çështja që të kemi marrëdhënie të veçanta.  Ne me Rusinë dhe Serbinë nuk mund të kemi marrëdhënie  të mira nëse nuk zgjidhet çështja e Kosovës. Me Serbinë marrëdhënie të mira ka vetëm Rama, po jo ne', tha Kulluri.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?