Vizita zyrtare në Finlandë, Ministri Hasani pritet nga presidenti: Në NATO bashkë për sigurinë globale

12 Qershor, 13:29| Përditesimi: 12 Qershor, 16:34

  • Share

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Helsinki, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u prit në një takim nga Ministrja për Punët e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.

Në fokus të diskutimeve ishin marrëdhëniet e mira dypalëshe mes dy vendeve, zgjerimi i BE-së, bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor dhe sigurinë globale etj.

Ministri Hasani vlerësoi mbështetjen e Finlandës në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, teksa ritheksoi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e Konferencës së dytë Ndërqeveritare me BE.

“Ne jemi aleatë të NATO-s dhe jemi shumë të lumtur që Finlanda i bashkohet radhëve të një angazhimi kaq të rëndësishëm që kemi për mbrojtjen dhe sigurinë tonë të përbashkët. Si vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Shqipëria vlerëson ndihmën dhe udhëzimet e Finlandës në këtë proces”, tha ai. 

Kryediplomati shqiptar u shpreh se anëtarësimi i Finlandës në NATO forcon sigurinë Euro-Atlantike dhe është dëshmi konkrete e politikës së dyerve të hapura të NATO-s.

Ministrja e Jashtme finlandeze, Elina Valtonen, falënderoi palën shqiptare për mbështetjen në anëtarësimin në NATO, teksa vlerësoi pikëpamjet e homologut Hasani lidhur me forcimin e funksionimit të OSBE-së . 

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi gjithashtu një takim me Presidentin e Finlandës, Alexander Stubb. Dy zyrtarët shprehën gatishmërinë e dy vendeve për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike, veçanërisht në turizëm, kulturë dhe arsim, ku ka potencial të madh për përfitime të ndërsjella.

Ministri Hasani vizitoi më herët gjatë ditës Bibliotekën Qendrore Oodi, një nga vendet më ikonike të Helsinkit.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?