Presidenti Ilir Meta gjatë vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut është takuar me liderin e opozitës, Hristijan Mickoski. Gjatë bashkëbisedimit, meta shkruan se u diskutua për ecjen para me integrimin dhe përmirësimin e bashkëjetesës ndëretnike.
“Kënaqësi të takoja liderin e opozitës kryesore maqedonase, Kryetarin e VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. Shkëmbyem mendime të vyera për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona dhe theksuam rolin e rëndësishëm të opozitës, në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, me qëllimin e përbashkët çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Vlerësova angazhimin dhe kontributin e VMRO-DPMNE dhe të Mickoski në zhvillimet demokratike të viteve të fundit në vendin fqinj, si dhe vullnetin e shprehur për përmirësimin e bashkëjetesës ndëretnike dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy popujve”, shkruan Meta.
Meta u takua edhe me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Meta shkruan se me Ahmetin biseduan për procesin e integrimit të dy vendeve, por edhe për projektin e Korridorit të 8.
“I hapur dhe i përzemërt, si gjithmonë, takimi me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Shkëmbyem vlerësime të vlefshme për zhvillimet në vendet tona, me fokus përshpejtimin e proceseve integruese që mundësojnë çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Vlerësuam së bashku se zbatimi i projektit madhor të Korridorit 8-të, do të lidhë më shumë vendet tona dhe do të jetë thelbësor për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruan Meta.
Lajmi kryesor: