REPORT TV zbulon emrat e katër ushtarakëve që janë arrestuar pas vjedhjes së armëve në bazën e Pashalimanit në Vlorë mbrëmjen e të enjtes (lexo këtu). Sipas burimeve të Report Tv nga Ministria e Mbrojtjes mësohet se ushtarakët e arrestuar janë; Lesko Ramosaçaj 52 vjeç, Edlir Nelaj 42 vjeç, Ervis Memsulaj 23 vjeç dhe Ardit Ramaj 25 vjeç. Brenda 48 orëve nga momenti i arrestimit të arrestuarit do të dalin para gjykatës për t’u njohur zyrtarisht me akuzën e ngritur.
Autorët e vjedhjes së 3 automatikëve dhe 3 granatave në bazën ushtarake dyshohet se janë tre. Gazetari i Report Tv në Vlorë, Armand Xhelili raportoi sot (lexo këtu) se ka dyshime se autorët janë ndihmuar nga ushtarakë, personel i brendshëm i bazës, të cilët mund t'i kenë informuar për vendndodhjen e armëve në depon që nuk monitorohej nga kamerat e sigurisë, apo duke lënë të lirë vendnrojen e saj, çka iu ka hapur rrugën grabitësve.
Dyshimet për bashkëpunëtorë të brendshëm përforcohen për faktin se roja i objektit ku u vodhën armët ka braktisur vendin e shërbimit pak para ngjarjes. Gazetari Xhelili raporton gjithashtu se është gjetur një armë zjarri automatike në periferi të Vlorës por nuk dihet nëse ajo i përket një prej armëve të grabitura në bazën e Pashalimanit, ndërkohë që vijojnë hetimet.