‘Vjehrra ime, e kujtonte Bahri Omarin, dhe foton e tij, nuk e hoqi kurrë nga xhami bufesë, kurse me familjen e Enver Hoxhës…”/ Dëshmia e rrallë e përkthyeses së njohur

23 Shkurt, 08:29| Përditesimi: 23 Shkurt, 08:36

  • Share

“Si u arrestuan në Shtëpinë Botuese ‘Naim Frashëri’ kolegët tanë; Sami Murati, Robert Vullkani, Eqrem Biba, Xhelal Ramku, Hysenil Dume dhe Natasha Pengili…”! –

Përkthyesja dhe redaktorja e njohur në një rrëfim të saj për punën me përkthimin, fëmijërinë, dashuria dhe marrëdhënia me bashkëshortin Luan Omari, mëmësia, etj. Arrestimet në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” dhe kujtimet për Bahri Omarin…! E ruan të freskët në memorie periudhën kur punonte si redaktore në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Për një njeri që merrej me librin, vitet e diktaturës nuk kanë qenë aspak të lehta, përkundrazi. Megjithatë, Donika Omari ka ditur të shijojë edhe nën trysni. Bashkëshortja e djalit të Bahri Omarit, Luan Omari, ajo ishte njëkohësisht edhe nusja e nipit të Enver Hoxhës, porse ky fakt, nuk duket se e ka kushtëzuar shumë veprimtarinë e saj intelektuale. Në një rrëfim të saj, znj. Donika Omari, flet për të gjitha këto kujtime, si dhe dashurinë e saj për letërsinë dhe marrëdhëniet e saj familjare.

Znj. Donika, keni punuar për vite të tëra në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, si redaktore dhe pastaj si përgjegjëse në redaksinë e letërsisë së huaj. Sa komode e keni ndier veten të punoni atje dhe a ka ndikuar fakti i të qenit grua, në një pozicion drejtues?

Në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” kam nisur të punoj si korrektore letrare, në vitin 1957. Shoqet më thoshin: “si nuk mërzitesh gjithë kohën duke lexuar”?! Ndërsa unë mendoja: “Si ka mundësi, lexoj romane dhe paguhem për këtë”, pra paguhesha për një kënaqësi. Por më vonë, kriteret e botimit shkuan duke u bërë gjithnjë e më të shtrënguara, dhe, shpeshherë, në dëm të cilësisë… dhe kuptohet se të jesh e detyruar të punosh mbi një vepër të dobët, nuk është më kënaqësi, por e kundërta. Në këto raste, më mirë të lexosh një manual për bujqësinë, sesa mediokritete letrare.

Me kalimin e viteve u emërova redaktore e pastaj përgjegjëse redaksie për letërsinë e huaj. Atje duhej të punoje me kujdes të madh, në kushtet e një censure, që imponohej herë më e rreptë e herë më e çlirët. Mundej që për një gjë fare të vogël, për një frazë, për një emër, mund të shkonte dëm e gjithë vepra, përveç rrjedhojave që do të kishte redaktori e, përgjegjësi i redaksisë. Për pyetjen që bëni lidhur me të qenit grua, në një post drejtues, mund të them që nuk kam pasur asnjë problem. Në redaksi, kishim mirëkuptim e respekt ndaj njëri-tjetrit.

Keni pasur ndonjë rast kur e keni pësuar për hir të censurës?

Për njëfarë kohe, kam punuar si redaktore në letërsinë shqipe. Ka qenë një rast kur u çua në shtyp një libër për Sevasti Qiriazin. Isha redaktore e librit. Autori, Skënder Luarasi, kishte bërë një përmbledhje të veprave të saj dhe aty përmendej si patriot H. Mborja, i cili kishte qenë luftëtar për pavarësi, kishte luftuar edhe kundër sulmeve greke, por më vonë ishte lidhur me Zogun, e pra nuk duhej përmendur në libër. Libri shkoi në shtypshkronjë. Atje nuk e di kush e vuri re dhe u bë problem. Si rezultat, mora si dënim një vërejtje të rëndë me shënim në biografi, që e ruaj edhe sot, si kujtim të një kohe të ashpër.

Autori i librit, S. Luarasi, erdhi e më kërkoi falje, duke më thënë: “Ti je e re dhe nuk mund ta njihje këtë emër, duhej të isha treguar unë më i kujdesshëm”. Më pas, në redaksinë e letërsisë së huaj, kam marrë ndonjë vërejtje nga sektori i shtypit të Komitetit Qendror, por pa ndonjë pasojë të rëndë. Më kujtohet që u bllokua dalja në qarkullim e një përmbledhjeje shkrimesh të Gorkit, për letërsinë. Gorki shprehte një mendim të tillë: “Të kesh frikë nga ndikimet e huaja, do të thotë të mos kesh besim, te klasa punëtore e vendit tënd”.

Na thirrën, drejtorin, Thanas Lecin dhe mua, në Komitetin Qendror të PPSh-së. Për fat të mirë, drejtori e mbrojti librin dhe u habita pak me guximin e tij. Ai tha: “Në fund të fundit, kjo është e vërtetë”. Pastaj libri u lejua. Kemi pasur raste të tjera vërejtjesh, për ndonjë kopertinë, si shumë liberale, etj., por që s’ia vlen të përmenden. Ose, një vërejtje e çuditshme, paradoksale, ka qenë p.sh., se po botonim shumë libra me temë diktaturat! Kështu diktatura shqiptare, zbulonte vetveten.

Keni qenë dëshmitare e dënimit apo largimit të punonjësve në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, si e përjetonit çdo rast?

Arrestimi i parë që mbaj mend, është ai i Sami Muratit. E arrestuan në zyrë. Ne na porositën të mos dalim nga zyrat. Pastaj vijuan arrestimet gjatë viteve: Robert Vullkani, një i ri i talentuar, i pasionuar pas leximeve, me një njohje solide të letërsisë, sidomos të asaj bashkëkohore perëndimore. Kur na çuan me kolektivin të vizitonim Muzeun e Sigurimit, e pamë atë, Robertin simpatik, të paraqitur si ndonjë kriminel të rrezikshëm.

Vijuan pastaj arrestimet me Eqrem Bibën, Xhelal Ramkun, Hysenil Dumen…! Tronditje të veçantë kemi ndier kur u arrestua rusja Natasha Pengili, jo vetëm për simpatinë që gëzonte, por edhe pse ishte e huaj dhe e merrnim me mend, sa i vështirë do të ishte burgu për të. Pati pastaj të internuar: Halil Qendro, Fatbardha Spahiu. Të larguar nga Tirana, ose nga puna: Jeton Ostreni, Ali Zotria, Gaqo Pisha, Stavri Kristo, Kika Sherko…! Kurse Kasëm Trebeshina, nuk mundi ta zgjasë më shumë se ndofta një vit punën si përkthyes, në redaksinë e letërsisë së huaj. Dhe nuk jam e sigurt në i kam përmendur të gjithë. Këtu përfshihen edhe të arrestuarit, në Shtëpinë Botuese Enciklopedike.

Ç’mendoni për letërsinë e shkruar nga gratë?

Nuk ka rëndësi nëse një vepër është shkruar nga një shkrimtar apo, nga një shkrimtare. Dihet që për shekuj të tërë kultura, letërsia, artet, kanë qenë pronë e meshkujve (me ndonjë përjashtim fare të paktë). Duke nisur nga shekulli XX-të, gjithnjë e më shumë emra të shquar e të mëdhenj, po figurojnë në krijimtarinë femërore. Kam përkthyer me të njëjtën kënaqësi, autorë, si: Natali Sarrot, Natalia Ginsburg, Ana Gavalda, M. Jursënar, etj., ashtu edhe libra autorësh meshkuj. Megjithatë, kur themelova Shtëpinë Botuese “Elena Gjika”, u nisa nga synimi për ta profilizuar si Shtëpi Botuese, që vë në dukje vlerat e letërsisë femërore.

Dhe botova autore si Dora d’Istria (emri letrar i Elena Gjikës), librin e parë në Shqipëri për Nënë Terezën, shkruar nga një gazetare italiane, Gracia Deledën (çmim “Nobel”), Daccia Marainin, Simonë dë Bovuarin, Maria Kortin, P.L. Traversin (krijuesen e Meri Popinsit), etj., si edhe ndonjë autore shqiptare, si Eleni Laperin e Rajmonda Belli-Gjençaj. Por tregu i librit te ne, është mjaft i vogël dhe është vështirë të bësh profilizime me drejtim të caktuar.

Duke përkthyer këtë lloj letërsie, keni menduar të shkruani dhe vetë?

A kam shkruar edhe vetë? Thuhet se përkthyesi është një autor i munguar. Jam mjaftuar të merrem me ndonjë studim për përkthimin, për shkrimtarë të fillimit të romanit shqiptar, me shkrime publicistike, për probleme shoqërore, shkrime për autorë e vepra etj. Pothuajse të gjitha këto, duke shtuar edhe shkrime të pabotuara, i kam përmbledhur në librin “Kulturë e ndërprerë”, të botuar në vitin 2009.

Cilat kanë qenë gratë që i keni ndjerë më të afërta në jetën tuaj dhe kanë ndikuar drejtpërsëdrejti te ju?

Natyrisht nëna ime. Natyrisht motrat e mia. Por kam pasur miqësi të ngushtë me Fatbardha Spahiun. E zgjuar, zemërgjerë, mendje hapur, me një fisnikëri të natyrshme, Fatbardhës mund t’i besoja gjithçka. Ia ndjeva shumë mungesën kur e internuan familjarisht. Kontakte atëherë, nuk mund të mbaheshin, munda t’i dërgoja vetëm një fjalor frëngjisht, ‘Larousse’, që ma kërkoi. Kur mundi të vinte në Tiranë, aty nga janari i 1992-shit, pas kaq shumë vjetësh që nuk ishim parë, patëm lënë një takim që nuk u realizua dot, sepse ajo vdiq papritur nga zemra, lajm që më hidhëroi thellë. Fatbardha ishte një grua e veçantë në të gjitha drejtimet, dhe shoqërimi me të, përveç kënaqësisë, të jepte shumë edhe me shembullin e cilësive të saj të bukura, karakteriale.

Ndërsa, në rrafsh më të gjerë, njohja e figurës së Nënë Terezës, ka qenë për mua prekëse dhe frymëzuese. Librin e parë që kam lexuar për të, “Tereza e Kalkutës”, nga F. Zambonini, desha menjëherë ta përktheja e ta botoja në shqip, çka edhe e realizova. Por entuziazmi dhe admirimi im, për këtë figurë kaq të jashtëzakonshme, nuk përputhej me mendësinë e pjesës më të madhe të bashkatdhetarëve të mi, që pyesnin: “E ç’ka bërë për Shqipërinë”?! Nga izolimi i stërzgjatur nuk ishim në gjendje të shihnim hënën pas gishtit.

Ju jeni gruaja e një intelektuali të njohur, siç është Luan Omari, si u njohët, më pas dashuruat…?

Isha studente në Institutin e Lartë Pedagogjik. Si ndërtesë ishim bashkë me Juridikun. Në këtë të fundit, ishte pedagog edhe Luan Omari. As sot nuk e di sepse, ne të Gjuhë-Letërsisë, bënim në një semestër edhe lëndën e Kushtetutës, që e zhvillonte juristi Isuf Alibali. Por një ditë vjen ta zhvillojë leksionin Luani. Një shoqes sime bullgare, i bie në sy që ai më shikonte si shumë dhe ma tha, por nuk ia vura veshin. Kur po afronte koha që do të mbaronim fakultetin, duhej të plotësonim një formular. Në marrëveshje me sekretaren e fakultetit, Luani mori përsipër të m’i bënte ai pyetjet, për formularin tim, duke gjetur kështu një rast të mirë, për të biseduar.

Kjo qe njohja jonë e parë nga afër. Më pas u takuam edhe herë të tjera. Te Luani më bënte përshtypje sjellja, edukata, po sidomos kultura e tij e madhe dhe shija e hollë. Edhe si familje, kam pasur vlerësim të veçantë për familjen Omari, për Bahri Omarin, emër që e kisha dëgjuar qysh fëmijë, të përmendej me nderim nga im atë, dhe me tronditje, kur bëhej Gjyqi Special. Por më vonë edhe nga të tjerë, madje me admirim. Kështu me Luanin u fejuam, u martuam dhe lindëm vajzën, Anilën.

Megjithatë jeta është e gjatë dhe marrëdhënia shpesh nuk është si në fillim…?!

Dy bashkëshortë mund të jenë në të njëjtën linjë, në gjërat kryesore, siç ndodh me ne. Vlerësojmë pak a shumë të njëjtat gjëra për vlerat e jetës, për vlerat morale, për artin, letërsinë, etj. Luani më ka ndihmuar për të pasur një vështrim më të thellë, në vlerësimin e gjërave. Ai ishte më i pjekur se unë, më i ngritur se unë, më i formuar dhe më ka dhënë shumë në këtë drejtim. Megjithatë ka gjëra të tjera, në dukje të vogla, që edhe krijojnë probleme. Për shembull, unë jam romantike, më pëlqen natyra, pylli, deti…!

Ai parapëlqen komoditetin e jetës së përditshme. Ose, një nga kënaqësitë e jetës bashkëshortore, është të bësh projekte të përbashkëta. P.sh. për rregullimin e shtëpisë, Luani nuk merr pjesë, thotë; bëj si të duash. Dhe unë vërtet mund të bëj gjithçka, sipas dëshirës, por është ndryshe kur gjërat mendohen e bëhen bashkërisht. Them se ky është qëndrimi i pothuajse të gjithë meshkujve, të brezit të tij…! Madje edhe i 50-60-vjeçarëve. Ndofta po ndryshon diçka me më të rinjtë. Të shpresojmë.

Më pas, ju u bëtë nënë. Si ndikoi kjo në jetën dhe raportin tuaj?

Lindja e fëmijës, është një ndryshim shumë i madh në jetën e femrës dhe një gëzim shumë i madh. Sapo dëgjova të qarën e parë të foshnjës, vetvetiu më erdhën në gojë fjalët më të ëmbla përkëdhelëse. Edhe në këtë gjë, në lindjen, rritjen e fëmijës, vihet re ndryshimi që kemi ende në pikëpamje, lidhur me familjen. Unë do të doja që si baba, Luani të ishte më i pranishëm. Ai e donte shumë Anilën dhe e ka përkëdhelur deri vonë, sikur të ishte e vogël.

Por megjithatë, e tërhiqte prapë jeta e mëparshme, të dilte me miq. Nga ana tjetër, nuk i linte gjë pa plotësuar vajzës. Dhe ajo që është më e rëndësishme, është shembulli që i ka dhënë me jetën e vet, pa e pasur zakon të japë këshilla, për integritetin moral, për karakterin e qëndrueshëm, për sinqeritetin në marrëdhënie me të tjerët…!  Dhe dihet që shembulli bën shumë më tepër efekt, sesa fjalët.

Vajza juaj është gjithashtu e përkushtuar në fushën e librave, studimeve. Si ju bën të ndjeheni ky fakt?

Kam ndjerë përgjegjësi të madhe në rritjen e fëmijës. Mendoja se për çdo të metë që të ketë fëmija, përgjegjësia është e prindit. Kisha sidomos shumë kujdes, për ta ushqyer mirë. Por ishte e gabuar, që ia hutoja mendjen me përralla e revista që ta bëja të hante edhe kur nuk donte fare. Atëherë nuk dinim shumë për ndikimin psikologjik, që ka detyrimi te fëmija për gjëra që nuk ka fare dëshirë t’i bëjë. Për sa i përket zgjedhjes së profesionit…? Anila qysh fare e vogël, ishte shumë e dhënë pas librave dhe i fiksonte saktë ato që lexonte. Kishte edhe një prirje të veçantë, në përvetësimin e gjuhëve të huaja.

Prandaj e vumë të mësonte në fillim italishten me mësuese Minervën, pastaj frëngjishten, me profesor Vedatin, dhe përsëri italishten, me Pashko Gjeçin, i cili këmbëngulte t’i mësonte edhe latinishten. Por na dukej se po e ngarkonim shumë. Në shkollë filloi anglishten, ndërsa më vonë, filloi të ndiqte kursin e gjermanishtes. Këto gjuhë i kanë hyrë shumë në punë, në profesionin e saj. Që zgjodhi Gjuhësinë, qe edhe nga ndikimi ynë si prindër. Niseshim nga prirja e saj për gjuhët, nga kureshtja për gjurmimin e fjalëve e, nga saktësia në të shkruar. Në fillim kërkimi shkencor i dukej i vështirë, pastaj e gjeti mirë veten dhe tani është një gjuhëtare e vlerësuar. Jemi të kënaqur që ka vazhduar traditën e familjes.

Siç e thatë edhe ju, Luani është djali i Bahri Omarit, si dhe nipi i Enver Hoxhës. Si e keni njohur ju Bahri Omarin, sa flitej në familjen tuaj për të, për dënimin e tij nga vetë kunati i tij Enver Hoxha?

Kur u fejova me Luanin, tek unë kishte më shumë peshë fakti, që ai ishte biri i Bahri Omarit, sesa nipi i Enver Hoxhës. Këtë çdokush sot është i lirë ta besojë, ose jo. Për fat të keq, te ne ende është e vështirë të mendosh në mënyrë objektive, secili niset nga vetja. Por kjo për mua, s’ka rëndësi.

Sa flitej për Bahriun në shtëpinë tuaj dhe si ishin marrëdhëniet me Enver Hoxhën?

Kur u bëra pjesë e familjes Omari, unë nuk mund ta zija në gojë Bahriun, më dukej se prekja një plagë, ende të pambyllur. Me ndonjë nga kushërirat e tyre, po. Më thoshin: “Ai pranoi të bëhej ministër në kohën e gjermanëve, që të ndikonte në shmangien e reprezaljeve, siç kishte ndodhur më 4 shkurt”. Tezja e Luanit, Haxhoja, vazhdonte të fliste plot mirësi e mall, për të. Vjehrra ime, Fahria, e përkujtonte gjithnjë, duke qarë ditën e ekzekutimit, por vetëm në sy të shërbyeses. Nga ana tjetër, me familjen e Emver Hoxhës, marrëdhëniet ishin të mira, por kjo kërkon një shtjellim të gjatë, e këtu s’është vendi.

Ka ekzistuar frika e persekutimit?

Frikë persekutimi, vjehrra ime ka pasur në vitet e para pas lufte, dhe është për të ardhur keq, që ajo, kur Luani ishte me studime jashtë shtetit, dogji letra, shkrime, gazeta, revista të kohës së mëparshme, pikërisht nga kjo frikë. Trembej edhe kur shprehej në shtëpi, ndonjë mendim kundër pushtetit. Nga ana tjetër, ajo nuk e hoqi kurrë fotografinë e të shoqit, nga bufeja me xham e dhomës së pritjes. Sot në familjet e bijve të Bahri Omarit, ruhen librat e bibliotekës së tij, një përkthim i papërfunduar i romanit “Pol e Virzhini”, të B. dë Sen Pier, ora prej floriri, një stilograf…!

Kur u dënua Bahri Omari?

Bahri Omari ishte deputet, botues, publicist, ministër dhe veprimtar i Ballit Kombëtar. Ai ishte kunati i Enver Hoxhës. Lindi në 1888 në Gjirokastër dhe u shkollua në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative. Mori pjesë në lëvizje të rëndësishme patriotike dhe politike. Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste ai u bë ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës më 5 nëntor 1943-16 qershor 1944.

Për këtë pozicion që ai u burgos. Në vitin 1945 ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special. Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10:00. U ekzekutua ditën e nesërme në një hendek te Kodra e Priftit në Tiranë. Para pushkatimit u thirri shokëve: “Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”.

E dashuruar pas gjuhëve të huaja

Ende e kujton zonjushën Helenë, zviceranen që i mësoi frëngjishten. Dashuria për gjuhët lindi kështu dhe vijoi me të tjera gjuhë, të cilat i mësonte bashkë me përkthimin. “Mësimet e para të frëngjishtes, i kam marrë nga madmazel Helenë Badel, një zvicerane frëngjishtfolëse, që kishte qenë guvernante te Vrionët. Atëherë përdorej metoda ‘Première année’. Më pas i rifillova shumë më vonë në Shtëpinë Botuese ‘Naim Frashëri’, ku për fatin tonë, punonte shkrimtari dhe përkthyesi i njohur, Vedat Kokona, që ishte edhe një pedagog shumë i mirë. Me profesor Vedatin përdorëm metodën më të re, ‘Mauger’. ‘Dëgjoni frëngjisht në radio, kështu do ta mbani të gjallë gjuhën’, na këshillonte ai. Dhe kishte plotësisht të drejtë, sepse ne na mungonte mundësia për ta praktikuar frëngjishten, meqë nuk kishim kontakte me të huaj e, as mundësitë që janë sot për të shkuar në vendin ku flitet gjuha përkatëse”, tregon Donika Omari.

Kur u dënua Bahri Omari?

Bahri Omari ishte deputet, botues, publicist, ministër dhe veprimtar i ‘Ballit Kombëtar’. Ai ishte kunati i Enver Hoxhës. Lindi në vitin 1888 në Gjirokastër dhe u shkollua në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative. Mori pjesë në lëvizje të rëndësishme patriotike dhe politike. Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, ai u bë ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, më 5 nëntor 1943, deri më 16 qershor 1944.

Për këtë pozicion, që ai u burgos. Në vitin 1945, ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special, i cili u zhvillua në Kinema “Kosova” (ish – “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë, nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10:00. U ekzekutua ditën e nesërme, në një hendek te “Kodra e Priftit” në Tiranë. Para pushkatimit, u thirri shokëve: “Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Memorie.al

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?