'Vjehrra s’më jepte bukë, ai më dhunonte'! 36-vjeçarja e braktisur përballet në 'Pa Gjurmë' me akuzat e bashkëshortit: U largua me djalë dhe me plaçkë, nuk i kam faj

9 Shkurt 2021, 18:14| Përditesimi: 9 Shkurt 2021, 19:05

  • Share

Bashkëshorti e zhyti në borxhe, kur 3 vite më parë braktisi gruan me djalin 5-vjeçar. Edhe pse i ka shkatërruar jetën, Dorina Dyrmishi e ushqen me dashuri djalin për të atin. E keqtrajtuar nga dhuna sistematike, që bashkëshorti ka ushtruar mbi të, kjo 36-vjeçare nga Berati merr guximin të rrëfejë në emisionin ’Pa gjurmë’ si jetoi nën një çati me 47-vjeçarin Ilir Dyrmishin, burrin që linte paratë në bixhoz, ndërsa sot po i shlyen borxhet.

’Ai nuk sillte para në shtëpi. Nuk e dija që luante kumar. Më përmendte edhe bukën. Vjehrra nuk më përkrahte, ç’kishte me djalin ma nxirrte mua. Ne dolëm në një shtëpi me qira. Punonim të dy, ishim mirë. Ai më detyroi të hidhja firmën për një kredi. Dhe më tha se ishim dëshmitar për një shokun e tij. Bëhej fjalë për një shumë prej 3 mln lekësh. Nuk doja t’i mërzisja prindërit. Ata e morën vesh, kur ai i kërkoi borxh edhe babait’, përlot nëna në studio

Ai harbohej kazinove, ndërsa ajo e vetme rriste djalin. Madje ai i kërkoi që edhe pronat nga babai, e shoqja t’ia kalonte në emër të tij. Ende pa u zbehur shenjat e dhunës në fytyrë, bashkëshorti detyroi gruan të hidhte firmën për një kredi që u mor në vitin 2018. Pas kësaj, ai mori paratë dhe u zhduk nga banesa.

’Pasi mori kredinë nisi të ushtronte dhunë dhe më kërkoi të largohesha nga shtëpia. Mori paratë dhe u largua përfundimisht, në vitin 2018. Ai nuk është kujtuar as për djalin. Ne figurojmë ende të martuar. Djali don të flasë por ai nuk është përgjigjur kurrë. Kredinë e paguaj unë çdo muaj. 10 mijë lekë të vjetra më mbeten në fund të muajit, me një djalë të vogël që e rris e vetme. Djali ishte 2 vjeç kur babai i tij u largua’

Edhe pse fizikisht jetojnë të ndarë dhe bashkëshortja nuk ka dijeni se ku ndodhet i shoqi, ata ligjërisht rezultojnë ende të martuar. 36-vjeçarja është larguar nga Berati për të jetuar në një tjetër qytet, me djalin 5 vjeçar, në një shtëpi me qira. Vogëlushi e kërkon të atin, por ai nuk është bërë më i gjallë. ’Pa Gjurmë’ arrin të mësojë vendndodhjen e 47-vjecarit në Greqi, ndërsa provoi të lidhej live me Ilir Dyrmishin, i cili gjatë transmetimit fiku edhe telefonin. Insistimit të stafit ai iu përgjigj me një mesazh, duke akuzuar bashkëshorten se ishte ajo që mori plackat dhe u largua.

’Ditën që u operova Dorina mori plackat dhe iku. Le të bëjë zgjedhjen e saj, unë do e zgjidh sipas ligjit’.

Pas këtij mesazhi, e përlotur bashkëshortja kërkoi të kthente të paktën sytë nga djali, duke mohuar faktin se ishte ajo e para që u largua nga shtëpia.

’Ai nuk reagon se nuk i vjen mirë për çfarë ka bërë me mua. Kërkoj të bëj divorcin dhe të marri përsipër kredinë. Të paktën të flas me djalin, të mendoj për të. Ta di edhe ai që ka një baba’, përlotet nëna në studio

VIDEO/Emisioni i plotë 'Pa Gjurmë'

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?