Vjeshta vjen përherë me një bukuri të pamatë në Tiranë, ose më mirë, në fshatrat përreth e në malin e Dajtit. Maretë kanë nisur të skuqin frutat e tyre në kodrat e buta, ndërkohë gjethet zverdhen. Ullinjtë shekullorë mbeten jeshilë, me trungjet e tyre si trupa e lëkurë dinosaurësh që dikur jetuan me siguri edhe në këto anë. Hurmat, gjithashtu, janë në garë me maretë: fruta portokalli’ e gjethe të përskuqura që zbukurojnë shtëpi të vjetra fshatare që kanë sharmin sa të 100 vilave të reja të mbledhura bashkë. Një vilë e re do edhe 100 vjet të tjera të lëmohet me vuajtjet shpirtërore, gëzimet, hidhërimet njerëzore brenda saj, ndërsa një shtëpi e vjetër, me catinë rënkuese, muret e lëmuara nga fërkimet e ndjenjave njerëzore është gati të mos prekë e cënojë fatin e atyre që e bujnë.
Po Tirana sot pak e ka mendjen te vjeshta e saj. Do të ishte e mrekullueshme: njerëzit të kishin sa më shumë kohë të ecnin mes fiereve që në këto ditë kanë ngjyrat e një tapeti të bukur persian: Nga Petrela në Zall Herr, nga Baldushku në Pëllumbas të gjithë të gjenin kohën e duhur për një zhytje në vjeshtën tiranase. Eshtë një luks, ilaci më i mirë për t’u përgatitur për një dimër sado i lagësht apo i ftohtë.
Tirana do ta meritonte të kishte sa më shumë mundësinë të shijonte vjeshtën e saj të bukur. Pas 30 vitesh bërtitje, gënjeshtra e kërcënime, do të duhej që qytetarët e saj dhe të ardhurit të ishin më të qetë. Të linin të shurdhër dhe të pafjalë ata që e torturuan dhe e torturojnë me pamjaftushmërinë shpirtërore të tyre, e t’iu ngjiten kodrave, t’i shpëtojnë sa të munden e të shijojnë vjeshtën që shpaloset kaq bukur te ne.