Çdo vend e popull ka Perënditë e veta dhe Perënditë janë ose të feve, ose të Natyrës. Janë disa vende në Shqipërinë tonë të vogël që sapo iu afrohesh ndjen forcën, dashurinë, frikën, misterin, madhështinë e të Panjohurës. Dhe nuk janë pak: Në Tomorr, në Vjosë, në Lagunën e Karavastasë, në bregun e Jonit, në Vlorë, në Sarandë, në Labëri, në Tamarë… kapesh prej bukurisë së tyre dhe bëhesh njësh me mistiken.
Janë Perënditë e Tokës sonë. Dhe sillen si të tilla me secilin prej nesh. Atyre që u krijojnë plagë, i çajnë, i plagosin, i dëmtojnë, janë të dënuar të vuajnë në kohë të kohëve. Duket sikur disa prej nesh pasurohen duke ua marrë trupin, duke ua dëmtuar biodiversitetin, duke ua vrarë bimët apo trembur zogjtë e fluturat, por ndërsa e bëjnë, zhyten e zhyten në humnera të paparashikuara që këto Perëndi janë aq të afta të krijojnë.
Me një elegancë e zemërgjerësi të jashtëzakonshme, këto Bukuri të rralla ofrojnë ushqim dhe freski, shuajnë etje e japin lëndë të parë për çfarëdo gjëje që njeriu ka nevojë dhe kërkon, por nuk durojnë dot babëzinë. Babëzia njerëzore është një gjë që nuk e tolerojnë dot, prandaj ata presin me durim dhe të shkatërrojnë. Nuk di si ia bëjnë të dallojnë aq kollaj hileqarët, por dihet, Perënditë e vërteta, shohin atë që ne se shohim dot.
Prej disa vitesh, disa shqiptarë mes nesh, po kujdesen për zonat dhe bukuritë e vendit tonë. Po shërojnë plagë, rikthyen në Atdhe pelikanë e flamingo, kafshë të egra që kishin marrë arratinë nga gjuetarë të sjellë enkas nga jashtë t’ua vrisnin këlyshë e vezë në vendet që duhej të ishin mbrojtur po nga shqiptarë.
Kohët po ndryshojnë. Vjosa përgatitet të ketë shkëlqimin e plotë të saj si lumi i fundit i egër i mbetur në Europë e të bëhet një Rezervat Biosfere e UNESCO-s. Pas vuajtjeve dhe mallkimeve që i bëri vrasësve të trupit të saj, tani pret më në fund të mirën.
Komente
