Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro

Gati aplikimi për Vjosën si pjesë e UNESCO-s, Kumbaro: Krenarë për gjithë punën e bërë, një kontribut i gjithë shoqërisë shqiptare

30 Shtator, 13:31| Përditesimi: 30 Shtator, 13:48

  • Share

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka njoftuar, se ka përfunduar përgatitja e dosjes për përfshirjen e Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa” në UNESCO. 

Kumbaro nënshkroi dosjen që do të dërgohet pranë UNESCO, një punë voluminoze e udhëhequr nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në bashkëpunim me ekspertët e Unionit Ndërkombëtar të Konservimit të Natyrës dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Tani fillon një proces bashkëpunimi me ekspertët e UNESCO në Paris dhe me besimin e plotë se në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Trashëgimisë Natyrore, Vjosa do të marrë edhe këtë patentë të re për të rritur emrin e vet, për të përfshirë komunitetet, por edhe për të ardhur me produkte të reja për secilën nga zonat që shtrihen në Pellgun e Vjosës.”, shprehet Kumbaro në videomesazhin e njoftuar në faqen e saj në Facebook.

Në 24 Prill të këtij viti, Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro ka njoftuar nisjen e punës për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore të mbrojtura nga UNESCO, nën programin “Njeriu dhe Biosfera”. Kumbaro ka pasur një takim me delegacionin e UNESCO-s që ka mbërritur në Tiranë, i cili do të ndjekë përgatitjen e dosjes së aplikimit.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?