Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe shefja e KE, Ursula von der Leyen

Kosova & Rajoni

Vjosa Osmani e zemëruar me BE pas samitit të Ballkanit Perëndimor

19 Dhjetor, 11:17| Përditesimi: 19 Dhjetor, 11:21

  • Share

Në deklaratën e përbashkët të liderëve të BE-së dhe e përshtatur edhe nga liderët e Ballkanit Perëndimor nga Samiti BE-BP të mërkurën, theksohet qartë se "e  ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE”, por njëkohësisht vendeve të rajonit iu kërkohet që të zgjidhin mospajtimet mes tyre. Vetëm në këtë mënyrë thuhet në deklaratë  "përshpejtohet procesi i zgjerimit”.

Nuk duhet të ketë më vonesa në zbatimin e marrëveshjeve

Në veçanti në deklaratë, Kosovës dhe Serbisë i kërkohet që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre duke i përmbushur detyrimet që dalin nga dialogu, të cilin e lehtëson vetë BE-ja. "Marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, duhet të zbatohen pa vonesa të reja. BE-ja u bën ftesë të gjithë partnerëve që të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave”, thuhet në tekstin e deklaratës.

Osmani: Masat ndaj Kosovës, të padrejta dhe joevropiane

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që mori pjesë në samitin BE-BP, publikoi një deklaratë të enjten 19.12 nga zyra e saj, ku thuhet se samiti "BE-Ballkani Perëndimor mbetet një platformë e rëndësishme për rajonin”, duke treguar se çfarë theksoi në takim. "E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për ne mbetet një angazhim i çdoditshëm. Nëse respektohet parimi i meritokracisë, ashtu siç proklamohet, atëherë duhet të ecet përpara me hapa konkret në këtë rrugëtim, duke filluar me trajtimin e menjëhershëm të aplikacionit tonë për anëtarësim dhe heqjen e masave ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe joevropiane”, thuhet në deklaratën e Osmanit. Ajo tërheq vërejtjen, se "nuk mund të ketë integrim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse vazhdimisht rrezikohet paqja dhe siguria. Prandaj, llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe”.

"Pavarësisht sfidave, Kosova nuk heq dorë nga integrimi në institucione euro-atlantike, sepse mbi të gjitha ky është vullnet i popullit tonë', ka theksuar Osmani. Që para fillimit të Samitit BE-BP, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kritikoi Bashkimin Evropian se është i "padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e tij, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok”.

Mediet në Prishtinë ndërkaq, publikojnë një letër që Presidentja Vjosa Osmani, u ka dërguar vendeve anëtare të BE-së duke shprehur rezerva me deklaratën BE-Ballkani Perëndimor pasi që sipas letrës, "nuk dënohen aktet terroriste në veri të Kosovës”. Në letrën e Osmanit, thuhet se Kosova "shpreh zhgënjimin e saj pse Deklarata nuk dënon aktin e agresionit dhe terrorizmit ndaj Kosovës, të kryer më 24 shtator 2023 nga grupi paramilitar dhe terrorist, me mbështetje logjistike dhe politike nga Serbia”. Po ashtu në letrën e Osmanit tërhiqet vërejtja se, "Kosova i ka ndërmarrë hapat e duhur për uljen e tensioneve në veri dhe përkundër kësaj nuk janë hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës, e në anën tjetër nuk janë ndërmarrë masa ndaj Serbisë për aktet e përsëritura të agresionit”.

Von der Leyen: Duhet unanimitet në Këshill

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në konferencë për mediat pas samitit në pyetjen në lidhje me kritikat e Osmanit tha, se  "Komisioni Evropian është i gatshëm për të përgatitur opinionin për statusin kandidat për Kosovën si dhe të heqë masat, por për këtë duhet unanimitet në Këshill”.

"Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë e Këshillit për të dalë me opinion. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati. E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t'i heqim masat, por edhe këtu na duhet unanimiteti i vendeve anëtare të cilin tani nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim, sepse gjithsesi është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë përpara", tha Von der Leyen. Deklarata nga ky Samit është përpiluar nga Bashkimi Evropian dhe është pritur që të përshtatet edhe me liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. /DW/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?