Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, teksa ka prezantuar Ushtruesen e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila mban një fjalë përshëndetëse në seancën e sotme plenare, u shpreh se drejtuesit e luftës çlirimtare të Kosovës do të dinë ta mbrojnë të vërtetën e madhe të luftës së Kosovës përballë drejtësisë dhe do të venë në vend nderin, dinjitetin dhe kontributin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shërbim të popullit të vet, të lirisë, të drejtësisë dhe të paqes.
"Të nderuar deputete e deputetë, Sot në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë kemi një mike të veçantë, Kryetaren e Kuvendit, Presidente në detyrë e Republikës së Kosovës, zonjën e nderuar Vjosa Osmani. E nderuar zonja Osmani, Ju uroj mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë.
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, që, për shkak të rrethanave të pandemisë, e ndiqni këtë seancë në mënyrë virtuale. Zonja Vjosa Osmani, kjo bijë e Mitrovicës dhe e Kosovës, është një politikane e re, energjike dhe e respektuar.
Ajo është shquar ndër profesionistët dhe profesionistet e reja të Kosovës, si juriste dhe njeri i ligjit, e diplomuar ekselente në Universitetin e Prishtinës dhe të Pitsburgut në Shtetet e Bashkuara, dhe me një karrierë të spikatur si profesore e së drejtës. Prej muajit shkurt të këtij viti është zgjedhur Kryetare e Kuvendit dhe, prej fillimit te muajit nëntor, është Presidente në detyrë e Republikës së Kosovës.
Rrallë ndodh që një politikan, për më tepër një politikane, në moshë të re dhe në fillimet e karrierës politike, të mbajë përgjëgjësi kaq të mëdha dhe barrë kaq të rënda për shtetin dhe popullin e vet. Për këtë keni të gjithë simpatinë e mbështetjen tonë.
E nderuar zonja Osmani, Ju vini në Kuvendin e Shqipërisë në një periudhë zhvillimesh dramatike për Kosovën dhe prestigjin ndërkombëtar të saj.
Thirrja në Dhomat e Specializuara në Hagë e personaliteteve të larta të shtetit, ish Presidentit Hashim Thaçi, ish Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetar i Partisë Demokratike, z. Kadri Veseli, ish Kryetarit të Kuvendit, z. Jakup Krasniqi, dhe Kryetarit te Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetvendosja, z. Rexhep Selimi, është një sfidë që duhet përballuar me durim, kurajo, vizion, profesionalizëm, koherencë qëndrimesh dhe solidaritet politik e kombëtar.
Kuvendi i Shqipërisë, të gjithë shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e botës që janë në anën e të drejtës, të vërtetës dhe të paqes, janë sot në mbështetje të tyre, janë në mbështetje të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë në anën e Kosovës dhe të popullit të saj.
Vepra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, e arritur me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n. Populli kosovar dhe udhëheqësit e luftës çlirimtare kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë. Drejtësinë e kësaj lufte e ka vërtetuar koha. Në gjykimin për të vërtetën, gjithkush mund të ketë interpretimet e veta, por jo faktet e veta. E vërteta është një dhe vetëm një: Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta. Këtë të vërtetë pritet të konfirmojë edhe Komisioni i Posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë, i cili është konstituuar dhe ka filluar nga puna.
Ne jemi të bindur se drejtuesit e luftës çlirimtare të Kosovës do të dijnë ta mbrojnë këtë të vërtetë përballë drejtësisë dhe do të venë në vend nderin, dinjitetin dhe kontributin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shërbim të popullit të vet, të lirisë, të drejtësisë dhe të paqes", Tha Ruçi.
Lajmi kryesor:
Vjosa Osmani në Kuvend: Jemi populli më paqedashës, të ecim bashkë! Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territorin e saj (VIDEO)
K.T.//ReportTv.al