Lumi Vjosa

Vjosa, Park Kombëtar, po tani?

26 Mars 2023, 09:10| Përditesimi: 26 Mars 2023, 09:12

  • Share

Shpallja e Vjosës, Park Kombëtar, ishte një lajm i mirë për të gjithë. Por, cilat janë mënyrat për të synuar zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në këtë zonë, pa cenuar ruajtjen e biodiversitetit të lumit të egër të fundit në Europë?

“Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës. Por për sa kohë?” Mjaftoi kjo fjali në statusin e Instagram të aktorit të mirënjohur të Hollywood, Leonardo DiCaprio, që të gëlojnë diskutimet, përtej kufijve shqiptarë, rreth planeve në letër për Vjosën. Më 13 mars, reagimet ishin tejet pozitive që ato plane mbetën vetëm në letër, pasi Lumi Vjosa u shpall Park Kombëtar. Kryeministri Edi Rama,  shprehu besimin se “duke shpallur Vjosën, Park Kombëtar, në terma financiarë do të kemi një ndikim ekonomik, më të madh se ai i bazuar te zhvillimi në dëm të Vjosës”.

Po tani, çfarë do të ndodhë?

Rëndësia e Vjosës nuk kufizohet vetëm me veçantinë e saj biologjike dhe shkencore si lum, luginë dhe ekosistem. Ajo ka gjithashtu një vlerë të posaçme edhe për popullsinë e rajonit. Lumi shtrihet në 13 nga 61 bashkitë e Shqipërisë (përcaktuar me VKM-në nr.360, datë 29.05.2019) dhe në 3 qarqe me më shumë se 130,000 banorë.

Këto zona kanë pësuar shpopullim të vazhdueshëm gjatë dekadës së fundit dhe krijimi e menaxhimi efektiv i një Parku Kombëtar me gravitetin dhe rëndësinë e Vjosës mund të jetë zgjidhja e nevojshme për ta ndryshuar këtë tendencë dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për rajonin. Kjo reflektohet në strategji të ndryshme në shumë sektorë dhe nivele të qeverisjes, të cilat paraqesin një vizion të unifikuar për rolin që Vjosa mund e duhet të luajë për të ardhmen e Shqipërisë.

Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit, Shqipëria 2030, dokumenti në nivelin më të lartë të hierarkisë së planifikimit, thekson nevojën për rritjen e zonave natyrore përmes zgjerimit të zonave të mbrojtura dhe korridoreve natyrore lidhëse përgjatë luginave të lumenjve dhe, në vazhdim të këtij qëllimi, rekomandon përfshirjen e “Parkut të Vjosës” në një sistem parqesh kombëtare (PPKT (f. 91), AKPT 2016). Këtij rekomandimi i është bërë jehonë në Strategjinë Kombëtare të Turizmit, duke theksuar nevojën për të shfrytëzuar peizazhet natyrore dhe të mbrojtura si një kanal për turizmin e qëndrueshëm.

Në një nivel më të lartë strategjik, Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI), e cila përshkruan fushat kryesore të lidhura me axhendën e zhvillimit të vendit dhe udhërrëfyesin e integrimit, nënvizon gjithashtu nevojën për të menaxhuar në mënyrë efektive dhe rigoroze zonat e mbrojtura nëpërmjet një qasjeje të integruar. Realizimi do të kërkojë plane menaxhimi dhe veprimi për llojet dhe habitatet, kërkesë kjo që do të adresohet nëpërmjet Planit të Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa (PM PKLEV). SKZHI përmend edhe nevojën për menaxhimin e burimeve ujore, veçanërisht nëpërmjet zbatimit të planeve të menaxhimit të baseneve lumore. Shpallja e Vjosës, Park Kombëtar, dhe zbatimi i mëvonshëm i PM PKLEV-së do të ndihmojë edhe në lehtësimin e këtij qëllimi.

Ekspertët e fushës sugjerojnë se, për shkak se ruajtja e lumit dhe biodiversitetit të tij janë përparësi, zhvillimi i aktiviteteve në Parkun Kombëtar dhe rreth kufijve të tij duhet të ndryshojnë në bazë të vendndodhjes dhe llojit të ndërveprimit njerëzor. Për shembull, mund të këshillohet krijimi i mundësive shtesë për rritjen e industrisë së vozitjes me kajak në pjesën e mesme të lumit, ndërsa e kundërta duhet të jetë përparësi në seksionin e epërm – shtimi i zbatimit të kontrolleve për industrinë e rafting-ut.

Mundësia e artë për turizmin

Lumi Vjosa, i cili shtrihet në zemër të Shqipërisë, ka potencialin të bëhet një destinacion i nivelit botëror për ekoturizmin – shprehet Blerina Ago, eksperte turizmi dhe avokate e kauzës ndër vite. Ajo shton se, me ujërat e tij të pacenuara, peizazhet e bukura dhe biodiversitetin e pasur, lumi Vjosa ka të gjithë elementet për një përvojë të paharrueshme në natyrë.

“Ekoturizmi, ose turizmi i qëndrueshëm që fokusohet në përjetimin dhe ruajtjen e mjediseve natyrore, është bërë gjithnjë e më popullor vitet e fundit (sidomos gjatë dhe pas pandemisë Covid-19). Shumë udhëtarë po kërkojnë përvoja autentike që i lejojnë ata të lidhen me natyrën dhe të mbështesin përpjekjet lokale të ruajtjes.

Lumi Vjosa ka potencialin për të ofruar pikërisht këtë. Vizitorët në lumë mund të dëshmojnë shumëllojshmëri të kafshëve të egra, duke përfshirë vidër, shqiponja dhe peshq të rrallë të ujërave të ëmbla. Lumi gjithashtu ka hapësirë për një sërë aktivitetesh si kajak, rafting, kamping në natyrë të egër, stand up paddle, hidrospeed, çiklizëm, ecje dhe ngjitje në mal, duke ofruar mundësi për vizitorët të lidhen me bukurinë natyrore të lumit në një mënyrë aktive dhe zhytëse”- pohon znj. Ago, duke cilësuar disa nga aktivitetet e turizmit të aventurës që mund të shtohen.

Përveç tërheqjeve të tij natyrore, ajo shton se, lumi Vjosa është i rrethuar nga monumente kulturore dhe fshatra tradicionalë, që ofrojnë një vështrim në historinë e pasur dhe traditat lokale të Shqipërisë.

“Vizitorët mund të eksplorojnë rrënojat e lashta, të vizitojnë tregjet lokale dhe të shijojnë kuzhinën tradicionale, duke ofruar një përvojë të plotë që mbështet komunitetet lokale”, – thotë znj. Ago.

E pyetur se si mund të vijojë plani për zhvillim të mëtejshëm të kësaj zone, ajo shprehet se për ta bërë lumin Vjosa një destinacion të nivelit botëror për ekoturizmin, do të jetë thelbësore zhvillimi i infrastrukturës së qëndrueshme turistike, që mbështet përpjekjet e ruajtjes dhe përfitimin e komuniteteve lokale.

“Kjo mund të përfshijë qëndrim me ndikim të ulët në mjedis, transport i gjelbër dhe lehtësi rekreative me gjurmë sa më të vogël në natyrë, si dhe programe edukimi dhe trajnimi për vizitorët dhe komunitetin lokal. Partneritetet me komunitetet lokale, organizatat ndërkombëtare dhe lokale të mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe agjencitë qeveritare do të jenë gjithashtu kritike për suksesin e ekoturizmit në rajon.

Duke punuar së bashku, palët e interesuara mund të sigurojnë që zhvillimi i turizmit është në përputhje me qëllimet e ruajtjes dhe mbështet zhvillimin ekonomik lokal. Këshilli Botëror i Turizmit të Qëndrueshëm ka hartuar kriteret GSTC lidhur me menaxhimin e destinacioneve turistike. Kriteret GSTC janë zhvilluar gjatë shumë viteve të përvojës dhe kërkimit global, duke përfshirë udhëzime dhe standarde të ndryshme të turizmit të qëndrueshëm, nga pjesë të ndryshme të botës.

Duke zbatuar këto kritere, destinacionet mund të japin kontribut të rëndësishëm drejt Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe arritjes së 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Organizatës Botërore të Kombeve të Bashkuara”, -thotë në fund znj. Ago.

Kërcënimet

Kërcënimi kryesor me të cilin përballej Vjosa gjatë 25 viteve të fundit ishte plani për ndërtimin e dy digave të mëdha në pjesën e mesme të lumit, përkatësisht: digat e hidrocentraleve të Kalivaçit dhe Poçemit. Në të gjithë pellgun ujëmbledhës të Vjosës, ishin planifikuar 45 hidrocentrale, 8 në vetë lumin Vjosë dhe 37 në degët e saj. Vjosa ka në përditshmëri presion dhe ndikim negativ nga:

-Hidrocentralet (duhet gjetur një zgjidhje për heqjen e digave ekzistuese) dhe të ndalohet urgjentisht ndërtimi i mëtejshëm; Nuk duhet të lejohet prodhimi i energjisë së rinovueshme.

-Nxjerrja e zhavorrit.

-Prerja e druve – Duhet të ketë vetëm mbledhje tradicionale të produkteve jodrusore të pyllit.

-Restaurime – Çdo ndërhyrje dhe restaurim duhet të kryhet vetëm për ruajtjen e ekosistemit.

-Peshkimi – S’duhet të zhvillohet më peshkimi, gjuetia e paligjshme

-Mbjellja e llojeve të huaja të florës për qëllime tregtare.

-Nxjerrja e ujit dhe ambalazhimi në shishe industriale.

-Urbanizimi – Lugina e Vjosës shtrihet në 7 bashki, të cilat aktualisht nuk kanë impiante të trajtimit të ujërave të ndotura dhe të menaxhimit të mbetjeve urbane.

-Përdorimi i kimikateve si pasojë e intensifikimit të bujqësisë

-Zhvillimi i turizmit – Ndërtimi i një aeroporti të ri pranë Vjosës Park Kombëtar. Ndërtimi i hoteleve / restoranteve për turizëm përgjatë luginës dhe zhvillimi i aktiviteteve të turizmit me gjurmë të lartë në mjedis.

-Ndryshimet klimatike dhe faktorët natyrorë.

-Erozioni – Shndërrimi i zonave të pyllëzuara në toka të mbjella dhe kuota.

Planet e mundshme

Në Parkun Kombëtar zbatohet shkalla e mbrojtjes mjedisore që ka si objektiv të mbajë territorin në gjendje natyrore, ku të ruhen komunitetet biotike, të resurseve gjenetike dhe llojeve për të siguruar stabilitetin ekologjik dhe diversitetin, dhe ku: përjashtohet njeriu nga shfrytëzimi ose zënia me aktivitete intensive; nuk lejohet shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive, me mjetet dhe mënyrat që shkaktojnë ndryshimet rrënjësore në biodiversitet, në strukturën dhe funksionet e ekosistemeve, ose që dëmtojnë në mënyrë të pandreqshme sipërfaqen e tokës; janë të ndaluara ndërtimi i zonave urbane, i autostradave, hekurudhave, linjave të prodhimit të energjisë, si hidrocentrale, linja të tensionit të lartë dhe sisteme të naftës dhe të gazit me shtrirje të gjatë; nuk lejohet ndryshimi i gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve ligatinore; çdo veprimtari që bie ndesh me objektivat e mbrojtjes së zonës dhe që përcaktohen në planin e menaxhimit.

Sipas znj. Ago, në këtë zonë mund të ushtrohen veprimtari që sigurojnë krijimin e mundësive shpirtërore, shkencore, edukative, çlodhëse të vizitorëve, në përputhje me kërkesat mjedisore, kulturore dhe të planit të menaxhimit.

“Kjo do të ndodhë vetëm pasi të pajisen me miratimin e institucioneve shtetërore, që synojnë: ruajtjen e zonës në një gjendje natyrore ose sa më afër natyrës; respektimin e vlerave ekologjike, gjeomorfologjike, objekteve të shenjta ose estetike, për të cilat zona merret në mbrojtje; marrjen në konsideratë që banorët lokalë kanë të drejta, të tilla si, peshkimin, kullotjen dhe drutë e zjarrit, deri në atë masë sa ato të mos dëmtojnë objektivat e tjerë të menaxhimit”, – thotë znj. Ago.

Me propozim me shkrim dhe të arsyetuar të administratës së ruajtjes së zonës, AKZM-ja mund të miratojë: kullotjen dhe kalimin e kafshëve shtëpiake dhe ngritjen e objekteve të lehta ose të përkohshme për mbajtjen e tyre; vendosjen e stendave, tabelave të të dhënave, reklamave, shenjave dhe posterave; vozitjen me barka, kanoe dhe mjete të tjera lundrimi (jomotorike); fluturimet joushtarake me helikopterë, balona, deltaplane, etj.; lëvizje dhe parkim automjetesh jashtë rrugëve dhe vendeve të caktuara; ngjitje alpine, ecje me raketa bore, ski, kampingje dhe ndezje zjarri jashtë pikave të caktuara; mbledhje bimësh, frutash, farash e kërpudhash; ushtrim veprimtarish të strukturave turistike sezonale, që nuk kërkojnë zënie përfundimtare të tokës. Kur administrata e ruajtjes së parkut vëren se cenohet qëllimi për të cilin zona është shpallur “Park Kombëtar”, mund të kufizojë ose të ndalojë përkohësisht lëvizjen e mjeteve të transportit, peshkimin dhe veprimtari të tjera të lejuara.

Vlera

Përfitimet e mundshme të ekoturizmit në rajonin e lumit Vjosa janë të shumta. Turizmi i qëndrueshëm mund të sigurojë një burim të ardhurash për komunitetet lokale, duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e ruajtjes së burimeve natyrore. Ai gjithashtu mund të sigurojë një burim të vlefshëm financimi për organizatën e menaxhimit të destinacionit, duke ndihmuar në mbrojtjen e biodiversitetit unik të lumit për brezat që do të vijnë.

Ecuria e planeve ndër vite

Mars 2023 – Vjosa shpallet Park Kombëtar!

Qershor 2022 – Në një ceremoni publike, qeveria shqiptare u angazhua të punojë së bashku me një ekip ekspertësh, përfshirë EcoAlbania, Riverwatch, Euronatur dhe të tjerë nga fushata Save the Blue Heart, për të mbrojtur Vjosën përgjithmonë.

Janar 2022 – Qeveria shqiptare shpalli lumin Vjosa, Park Natyror (kategoria IV e zonave të mbrojtura) në vend të shpalljes së saj Park Kombëtar (kategoria II e zonave të mbrojtura) siç kërkohet prej vitesh nga aktivistët.

Dhjetor 2021 – Komisioni i Përhershëm i Konventës së Bernës i kërkoi autoriteteve shqiptare të sqarojnë pse propozimi i EcoAlbania dhe IUCN, i bazuar në studime të gjera për ta shpallur “Lumin Vjosa” si Park Kombëtar (Kategoria II), nuk është marrë parasysh.

Prill 2021 – Liderët politikë në Shqipëri, të konfrontuar në media me çështjen e Vjosës, angazhohen publikisht për mbrojtjen e Vjosës.

Prill 2021 – EcoAlbania i përgjigjet deklaratës publike të Kryeministrit Rama mbi mundësinë reale të shpalljes së Vjosës si Park Kombëtar (Kategoria II sipas standardeve të IUCN).

Mars 2021 – Parlamenti Europian miratoi  Raportin e Progresit  për Shqipërinë 2021, në të cilin ata nxisin qeverinë e Shipërisë “të krijojnë sa më shpejt të jetë e mundur Parkun Kombëtar të Vjosës, në të gjithë gjatësinë e lumit”.

Dita Botërore e Ujit 2021 – Prezantohet nisma “Vjosa, Park Kombëtar Tani”, duke hedhur në plan të parë monumentet e trashëgimisë kulturore të njohura  globalisht në Paris, Berlin, Bruksel dhe Tiranë, duke synuar vëmendjen e politikanëve europianë dhe shqiptarë, për t’i nxitur ata që të shpallin Vjosën, Parkun e Parë Kombëtar të lumit të egër në Europë.

Mars 2021 – IUCN prezantoi studimin e tyre të ri, duke rekomanduar se mbrojtja e Vjosës duhet të sigurohet përgjatë gjithë rrjedhës së lumit, në mënyrë që të arrihet mbrojtja themelore e vazhdimësisë së lumit dhe transportit të sedimenteve, pasi çdo shqetësim i mundshëm përgjatë shtratit të lumit mund të ketë ndikime në rrjedhën e sipërme dhe në rrjedhën e poshtme.

Mars 2021 – Patagonia shfaq një film të ri 6–minutësh që shpjegon situatën në Shqipëri dhe u bën thirrje shqiptarëve dhe europianëve që të përfshihen dhe të mbështesin mbrojtjen e lumit Vjosa.

Shkurt 2021 – 20 organizata mjedisore shqiptare, nën nismën e EcoAlbania, paraqitën një propozim të hollësishëm për shpalljen e Parkut Kombëtar të Vjosës pranë ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. Sipas propozimit me 16 faqe, Parku Kombëtar duhet të përmbushë standardet e IUCN-së dhe të përfshijë të gjithë lumin Vjosa në Shqipëri, si dhe degët që janë ende me rrjedhje të lirë.

Shtator 2020 – Ministria e Mjedisit refuzoi vlerësimin e ndikimit në mjedis të konsorciumit të investitorëve turko-shqiptarë, duke propozuar që diga e Kalivaçit të mos të ndërtohet.

Shkurt 2020 – Një nga peticionet më të mëdha bën bashkë studiuesit shkencorë të ekologjisë së ujërave të ëmbla nga e gjithë bota i cili, bën thirrje për të ndaluar projektet e hidrocentraleve mbi lumin Vjosa në Shqipëri.

Nëntor 2019 – Presioni ndërkombëtar për të mbrojtur Vjosën rritet ndërsa në kauzë përshihen personalitete të famshëm si Leonardo DiCaprio.

Qershor 2019 – Studimi i ri gjen se Vjosa është i papërshtatshëm për ndërtimin e hidrocentraleve, pasi impiantet e reja do të krijonin një situatë humbjeje të trefishtë.

Tetor 2018 – Qindra marrin pjesë në koncert për të treguar mbështetjen e tyre për një Vjosë të lirë.

Qershor 2018 – Shkencëtarët ndërkombëtarë eksplorojnë rreth 300 km të pellgut të Vjosës dhe botojnë një studim në dhjetor 2018.

Tetor 2017 – Slogani “Mos ma prek Vjosën” grumbullon mijëra pjesëmarrës në koncertin në mbrojtje të Vjosës në Tiranë.

Tetor 2017 – Qeveria shqiptare vendosi të ecë përpara me ndërtimin e digave në Vjosa dhe i akordoi konsorciumit turko-shqiptar Ayen Eneji dhe kompanisë “Fusha” koncesionin për të ndërtuar hidrocentralin e Kalivaçit.

Maj 2017 – Gjykata Administrative në Tiranë vendosi në favor të EcoAlbania dhe përfaqësuesve të komunitetit për të anuluar projektin e hidrocentralit të Poçemit. Investitori turk Ayen Enerji dhe Ministria e Mjedisit apeluan vendimin e gjykatës. Gjykimi është ende në proces, pasi pritet vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit.

Dhjetor 2016: Banorët e prekur së bashku me OJQ-të kombëtare dhe ndërkombëtare ngritën një padi gjyqësore kundër hidrocentralit të Poçemit në Vjosë, një projekt i nisur rishtas nga qeveria shqiptare.

Maj 2016 – Protesta ndërkombëtare në brigjet e Vjosës për të treguar rezistencë lokale ndaj një projekti të madh hidroenergjetik. Një peticion i veçantë në formën e një kajaku u la në pragun e Kryeministrit Rama.

Prill 2016 – Parlamenti Europian i bën thirrje qeverisë shqiptare të kontrollojë zhvillimin e energjisë hidrike; konkretisht, në zona të pacenuara si Vjosa.

Maj 2015 – Eurodeputetët kërkojnë mbrojtje për Vjosën dhe ndaljen e të gjitha planeve të ndërtimit të hidrocentraleve

Qershor 2014 – Vlerësimi i parë i biodiversitetit të Vjosës i ndërmarrë nga një grup i përbashkët të shkencëtarëve dhe studentëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Maj 2014 – Rasti i parë kur kryetarët e Bashkive dhe banorët e luginës patën konferencën e parë për shtyp në brigjet e Vjosës dhe i bënë thirrje kryeministrit Rama të hidhte poshtë planet e ndërtimit të hidrocentraleve dhe të shpallte Vjosën Park Kombëtar.

Janar 2014: Lumi Vjosa mori vëmendjen për herë të parë në mediat ndërkombëtare.

Ligji shqiptar

Sipas ligjit shqiptar, Park kombëtar shpallen territoret e gjera, zakonisht jo më pak se 1,000 ha, unike për nga vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare, që ruhen dhe menaxhohen për mbrojtjen e ekosistemeve, llojeve, për edukim dhe rekreacion (çlodhje e argëtim), që rregullojnë përdorimin e qëndrueshëm nga ana e njeriut të burimeve natyrore.

Përfitimet

1) Ndërtimi i një portofoli të larmishëm aktivitetesh dhe zonash që janë të shpërndara përgjatë gjithë Pellgut Ujëmbledhës së Vjosës që mund të ofrojnë mundësi të qëndrueshme ekonomike për komunitetet lokale dhe bizneset turistike;

2) Rritja e përpjekjeve për ruajtjen dhe edukimin për të mbajtur një marrëdhënie reciproke të dobishme midis vendasve dhe natyrës;

3) Rritja e numrit të vizitorëve dhe kohëzgjatja e qëndrimit të tyre dhe nxitja e vizitave gjatë gjithë vitit, duke ofruar përvoja me cilësi të lartë;

4) Rritja e numrit të bizneseve lokale turistike në zonën e pellgut të Vjosës;

5) Investimet në infrastrukturë (menaxhimi i mbetjeve, menaxhimi i transportit, menaxhimi i vizitorëve, ripyllëzimi) që funksionojnë krah për krah jo vetëm për një rritje të kontrolluar të turizmit:

a) Për t’u dhënë komuniteteve vendase aftësinë për të mbajtur veten nëpërmjet mundësive të rritjes së biznesit të qëndrueshëm të turizmit;

b) Për të mbështetur kushtet e shëndetit publik të komuniteteve lokale;

c) Për të përmirësuar krenarinë dhe mirëqenien e komunitetit lokal.

6) Trajtimi i fenomenit të emigracionit të të rinjve shqiptarë nga fshatrat në qytete, si dhe eksodit të të rinjve nga Shqipëria në tërësi, duke ofruar mundësi zhvillimi ekonomik dhe të qëndrueshëm të biznesit;

7) Kthimi në një model që mund të përdoret nga komuniteti ndërkombëtar, duke u bërë lider në këtë fushë./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?