Vjosa Park Kombëtar, Rama: Moment historik, mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër në Europë! 80 mln $ investim impiante për pastrimin nga ujërat e zeza

15 Mars 2023, 10:40| Përditesimi: 15 Mars 2023, 12:44

  • Share

TEPELENË- Lumi Vjosa ka zyrtarisht statusin Park Kombëtar dhe kryeministri Edi Rama e ka cilësuar atë si një moment historik për mbrojtjen e natyrës dhe një potencial turistik që do t’i sjellë zonës të ardhura ekonomike.

Nga Tepelena, aty ky u bë prezantimi i Vjoës si Park Kombëtar, kreu i qeverisë tha se më këtë status lumi i fundit i egër në Europë do të mbrohet përgjithmonë. E pranishme ishte edhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro e cila tha nuk është më përrallë, por shpallja e Vjosës Park Kombëtar është një realitet që tregon se prioriteti i qeverisë shqiptare është mjedisi.

“Mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të Europës”, tha Rama.

“Nuk është përrallë por realitet, i një pune të bërë nga disa dhjetëra ekspertë. Është realitet i vizionit të qeverisë shqiptare që ka shpallur mjedisin prioritet”, tha Kumbaro.

80 milionë dollarë do të jepen fillimisht për Parkun e Vjosës dhe do të shkojnë për një projekt masiv për kanalizimet e të gjitha bashkive që i përshkon lumi i Vjosës, në mënyrë që lumi të pastrohet nga ujërat e zeza.

“Janë 80 mln dollarë që do të vendosen në dispozicion të këtij parku që të gjitha bashkitë të mos derdhin më ujërat e zeza në lumë”- tha Rama.

Kryeministri bëri me dije se qeveria po bashkëpunon ngushtë me atë greke për të një projekt që do të mbrojë lumin Vjosa edhe përtej kufirit shqiptar.

“Jemi në një bashkëbisedim inkurajues edhe me Greqinë, për të ndërtuar një sinergji përtej kufirit dhe për ta trajtuar këtë territor, këtë shtrat të Vjosës, që nuk fillon në Shqipëri, si një pasuri të përbashkët dhe për të investuar dijen dhe financat”, vijoi Rama.

Rama nuk la pa ‘thumbuar’ edhe të gjithë evropianët që bënë fushatë për mbrojtjen e Lumit Vjosa.

"Në këtë rrugë për të ardhur deri këtu patëm shumë europainë që pasi zbutën lumenjtë e tyre të egër dhe i shfrytëzuan për interesat e tyre, u turrën te Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja. Pasi i kthyen tigrat e natyrës së tyre në mace shtëpiake, u turrën drejt nesh që të mos guxojmë të zbusim tigrin tonë. Është kënaqësi që iu japim mundësi që atyre të bëjnë një larje sado të sipërfaqshme të ndërgjegjes së tyre”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se synimi i tyre është që deri në vitin 2023 ta rrisin sipërfaqen e mbrojtur në 30% nga 21% që është aktualisht dhe për këtë ka nevojë për një reformë të re për menaxhimin e pyjeve.

"Sot Shqipëria ka 21% të territorit, e kemi gjetur me shumë pak kur morëm detyrën dhe çdo vit e kemi rritur sipërfaqen dhe objektivi ynë është ta çojmë në 30%. Objektiv ambicioz”, tha Rama.  

I pranishëm ishte edhe CEO i Patagonis, Ryan Gellert, i cili tha se ky vendim tregon se shkatërrimi i natyrës nuk duhet të jetë çmimi për zhvillimin.

"Moment kaq domethënës për konservimin global. Ajo që vërtetohet sot është se shkatërrimi i natyrës nuk duhet të jetë çmimi për zhvillimin", tha ai.

Me vendim të Këshillit të Ministrave dy ditë më parë Vjosa u shpall Park Kombëtar, çka do të thotë se në nuk do të lejohet asnjë lloj ndërtimi që cenon lumin Vjosa. E gjithë sipërfaqja e lumit Vjosa, zona bregore, një pjesë e sipërfaqes tokësore, bashkë me tre degët e lumit Drino, Bënsh, Shushicës është shpallur Park Kombëtar, me një sipërfaqja totale 12 727 hektarë. Shpallja e lumit Vjosa si Park Kombëtar ndihmon ruajtjen e një prej lumenjve të fundit të egër të Europës. Ky status nuk do të mbrojë vetëm lumenjtë, por pritet të kthehet edhe në një burim të ardhurash për zonën.

Nisja e ndërtimit të disa HEC-eve në lumin e Vjosës alarmoi shumë ambientalistë ndërkombëtarë të cilët për shkak të cenimit të lumit nga digat që po ndërtoheshin bëri që të niste një fushatë ndërkombëtare për mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Europë. Një zë i fuqishëm ka qenë edhe ai i aktorit të njohur ndërkombëtar, Leonardo di Caprio i cili udhëhoqi fushatën për mbrojtjen e Vjosës dhe disa herë i kërkoi qeverisë që ta shpalltë Park Kombëtar.

Ora 11:38
Vjosa Park Kombëtar, CEO i 'Patagonias': Shkatërrimi i natyrës nuk duhet të jetë çmimi për zhvillimin

 

CEO i Patagonias, Ryan Gellert ishte i pranishëm në prezantimin e Vjosës Park Komëbëtar. Gellert tha se kjo tregon se shkatërrimi i natyrës nuk duhet të jetë çmimi për zhvillimin

“Rama, Kumbaro, skuadra pas jush që kanë bërë të mundur ditën e sotme nuk mund t’iu falënderoj mjaftueshëm në partneritetin për atë që u bë të hënën dhe atë që po kremtojmë sot. Moment kaq domethënës për konservimin global. Ajo që vërtetohet sot është se shkatërrimi i natyrës nuk duhet të jetë çmimi për zhvillimin. Njerëzisht shpesh pyesin se ca ka një shoqatë nga Kalifornia për mbrojtjen e një lumi këtu. E kemi nisur me një aktivist vite më parë që donte të mbronte një lum afër firmës sonë dhe sot ja ku jemi, përdorëm çdo mjet dhe instrument për të mbrojtur botën natyrore. Natën e parë që ndenja në Shqipëri fjeta nën yje në brigjet e Vjosës. Ky është një vend aq i bukur sa asnjë vend tjetër në botë dhe Vjosa degët dhe gjithë ky ekosistem është i rëndësishëm për t’u mbrojtur”, tha ai.

Qeveria shqiptare ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me organizatën amerikane “Patagonia” me qëllim rritjen e shkallës së mbrojtjes së lumit të Vjosës.

Ora 11:24
Vjosa Park Kombëtar, Rama: 21% e territorit në vend është i mbrojtur, synojmë ta çojmë në 30%

 

Pas shpalljes së Vjosës Park Kombëtar Rama tha se vendi ynë ka sot 21% të territorit të mbrojtur ndërsa theksoi se objektivi ambizioz është që ta çojnë në 30%.

“Shpresoj që të gjithë këta të mos ikin në drejtim të paditur pasi e garantuan që tigri nuk do bëhet mace, por të qëndrojnë këtu me ne për të vazhduar tani që këtë pasuri ta kthejmë në burim zhvillimi ekonomik, social dhe ekologjik të qëndrueshëm dhe në një model për të gjithë në Shqipëri dhe përtej. Sot Shqipëria ka 21% të territorit, e kemi gjetur me shumë pak kur morëm detyrën dhe çdo vit e kemi rritur sipërfaqen dhe objektivi ynë është ta çojmë në 30%. Objektiv ambicioz”, tha Rama.  

Ora 11:23
Rama: 80 mln $ investim impiante për pastrimin e Vjosës nga ujërat e zeza! Reformë edhe për ruajtjen e pyjeve, mjedisi është prioriteti ynë

 

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Tepelenë, në kudër të shpalljes së lumit të egër Vjosa si park kombëtar. Kreu i qeverisë e ka cilësuar si një ndër momentet historike ndërsa shtoi se shumë shpejt kjo risi do të shërbejë në formën e një sinergjie me vendet e rajonit dhe për bashkëpunimin me disa vende. Rama u shpreh se shumë shpejt qeveria do të ketë si synim krijimin e reformave të pyjeve, e cila aktualisht ka pasur përparësi. Rama gjithashtu theksoi se për Vjosën janë hedhur 80 mln dollarë investim për bllokimin e kanaleve të zeza, një risi kjo që do të ndihmojë në ruajtjen e vlerave dhe pasurive tona kombëtare.

“Ne sot, jemi krenar për shumë gjera që kemi bërë në funksion të mjedisit dhe natyrës. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë sot me një montaroum absolut për gjuetinë, vendosëm ta ndalojmë dhe tani kemi ripërtëritje të ndejshme dh frymëzuese të faunës në të gjithë territorin. Jemi në monitorim të pyjeve. Por kjo nuk mjafton, na duhet një tjetër reforme për menaxhimin e pyjeve. Për t’i kthyer në mirëqenie, për brezat që do të vijnë. Presim që ky park të jetë qendër e projekteve, të punimit shkencor, të studimeve dhe përpunimit. Jemi në një bashkëbisedim shumë inkurajues me fqinjët tanë, për të ndërtuar një sinergji përtej kufirit dhe për ta trajtuar këtë territor si një pasuri të përbashkët dhe për të investuar bashkërisht,. Janë 80 mln dollarë që do të vendosen në dispozicion të këtij parku që të gjitha bashkitë të mos derdhin më ujërat e zeza në lumë”- tha Rama.

Kujtojmë se ministrja Mirela Kumbaro më herët është shprehur se do të vendosen impiante në 7 bashki të vendit në mënyrë që ujërat e zeza të mos derdhen në lumin Vjosa. Ky vit, është parashikuar nga qeveria me synime të qarta për pastrimin e mjedisit, thekson Kumbaro.

Ora 11:15
Vjosa Park Kombëtar, Rama: U përballëm me shumë europianë, ata zbutën 'tigrat e natyrës' së tyre në 'mace shtëpiake' dhe më pas u turrën të mbronin lumin tonë

 

Kryeministri Edi Rama nga Tepelena thotë se shpallja e Vjosës Park Kombëtar është një moment historik. Rama tha se ky status i hap rrugë mbrojtjes së lumit të vetëm të egër në Europë, ndërsa nuk la pa ‘thumbuar’ edhe të gjithë europianët që bënë fushatë për mbrojtjen e Lumit Vjosa. Rama tha se pasi BE zbuti lumenjtë e tyre të egër dhe i shfrytëzoi për interesat e tyre, u turrën te Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja.

“Ky është një moment realisht historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës dhe transformimin e mendësisë lidhur me natyrën si një hapësirë e përbashkët ku zhvillimi ekonomik, zhvillimi social dhe trashëgimia për brezat që vijnë si një stafetë e mirëqenies mund të shihet dhe duhet të shihet krejt ndryshe nga sa rëndomë jemi mësuar duke e kërkuar tek shfrytëzimi pa kriter dhe karar i natyrës. Ky është një moment i rëndësishëm për vendin tonë sepse sanksionojmë atë që kemi dëshiruar shumë që në krye të herës, atë për të cilën jemi zotuar kur kemi marrë mandatin për të qeverisur dhe atë që për ta bërë realitet na u desh kohë pasi nuk është një venim i lehtë, shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

Më vjen mirë që ja dolëm kësaj ndërmarrjeje sfiduese dhe patjetër që jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kontribuuan për të ardhur deri këtu, veçoj dy njerëz Mirelën ministren dhe Adelinën drejtoren e agjencisë kombëtare të planifikimit,. Të cilat me shumë këmbëngulje bashkërenduan shumë forca që u bëtë bashkë në këtë proces. Mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të europës. Në këtë rrugë për të ardhur deri këtu patëm shumë europainë që pasi zbutën lumenjtë e tyre të egër dhe i shfrytëzuan për interesat e tyre, u turrën te Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja. Pasi i kthyen tigrat e natyrës së tyre në mace shtëpiake, u turrën drejt nesh që të mos guxojmë të zbusim tigrin tonë. Është kënaqësi që iu japim mundësi që atyre të bëjnë një larje sado të sipërfaqshme të ndërgjegjes së tyre”, tha Rama.

Ora 10:52
VIDEOLAJM/ Rama në Tepelenë, grupi polifonik i dedikon këngë: Kryeministri i Shqipërisë si dhuratë e perëndisë, ku nuk të ka shkuar fama, ti je burrë që nuk do reklama

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin e prezantimit të Lumit Vjosa si Park Kombëtar. Rama u prit me një surprizë të veçantë nga grupi polifonik.

Ata i kishin dedikuar një këngë kryeministrit ndërsa e kënduan në mes të të gjithë të pranishmëve.

"Kryeministri i Shqipërisë si dhuratë e perëndisë, ku nuk të ka shkuar fama, ti je burrë që nuk do reklama", thonë ndër të tjera. 

Ora 10:50
Vjosa Park Kombëtar, Kumbaro: S’është përrallë, por realitet! Shenjë emancipimi të politikës dhe shoqërisë

 

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro është shprehur se shpallja Park Kombëtar të lumit Vjosa është shenjë e emancipimit të qeverisë, politikës dhe shoqërisë.

“Më shkroi sot Rexhep Uka, Vjosa është një nuse qëmoti që i duken treguar hiret. Dhe ky ishte një mesazh shumë i bukur që mora sot. Plot 12 mijë e 7227 hektarë dhe ja ku është, Vjosa Park Kombëtar tani. Nuk është përrallë por realitet, i një pune të bërë nga disa dhjetëra ekspertë. Është realitet i vizionit të qeverisë shqiptare që ka shpallur mjedisin prioritet. Është realitet i një Shqipërie që rritet, emancipohet. Shenjë emancipimi politik e social. Kjo duket nga komunikimi disa vjeçar. Erdhëm deri këtu falë një komunikimi intensiv. Arritëm të ndërtojmë një ekip bashkëpunues mes organizatave mjedisore dhe institucioneve shqiptare.”- tha Mirela Kumbaro.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Jaku: 16/03/2023 13:07

    Pra, nje komcension 80 mil euro, dhe nje "reforme" e menaxhimit pyjor do mundesojne zhvillimin e metejshem te interesit zhvates dhe korruptiv te mafies Rama.

    Përgjigju
  • Toni: 15/03/2023 18:21

    Po elektricitetin me pordhet e Rames do ta prodhojme?

    Përgjigju
  • Zasteni: 15/03/2023 17:28

    Po ky Goliku nuk u ngope Enveri tani filloj me Ramën bravo

    Përgjigju
  • Sokoli: 15/03/2023 15:24

    Po si ka mundesi qe ministrja genjen kaq hapur?! Si mund te flase kaq kot dhe te thote qe mjedisi qenka prioritet i qeverise? Mjedisi eshte gjeja me pak e rendesishme tek ne, se vete politikanet nuk e dine rendesine e tij.

    Përgjigju
  • gazmend: 15/03/2023 12:53

    Mbrojtja qe po i beni ketij lumi eshte vertete goxha efektive dhe e domosdoshme pasi eshte nje pasuri natyrore teper unike

    Përgjigju
  • Bjordi: 15/03/2023 12:50

    Fale punes qe po beni mbi lumin Vjose ai nga viti ne vit do behet nje destinacion mjaf i preferuar

    Përgjigju
  • Kristela: 15/03/2023 12:50

    nje moment historik ku turizmi do te rritet ndjeshem ne vendin tone

    Përgjigju
  • Mondi: 15/03/2023 12:43

    Do ta beje vendin akoma dhe me te njohur per shume turiste te huaj ku do jene kurioze ta vizitojne

    Përgjigju
  • andrea: 15/03/2023 11:41

    E shof si nje arritje kete per shqiperine , respekte

    Përgjigju
  • vlora 1: 15/03/2023 11:09

    Mos fajesoni Enverin per kult individi.Ne kete na e kerkon organizmi.Jemi populli me idjot ne evrope.Skllever te botes moderne

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?