Durrah City Football Academy

Politikë
Sport

VKM/ Qeveria jep 80 milionë lekë për financimin e ‘Durrah City Football Academy’ për 2025

28 Maj, 22:40| Përditesimi: 29 Maj, 00:39

  • Share

Me një vendim të posaçëm të miratuar nga Këshilli i Ministrave, është vendosur financimi i veprimtarisë së fondacionit “Durrah City Football Academy” për vitin 2025, me një shumë prej 80 milionë lekësh nga buxheti i shtetit.

Vendimi është marrë në mbështetje të kuadrit ligjor për sportin, menaxhimin e sistemit buxhetor dhe buxhetin e shtetit për vitin 2025, me propozim të ministrit të Arsimit dhe Sportit. Fondet do të jepen nga programi buxhetor i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, konkretisht nga programi “Për zhvillimin e sportit”, dhe do të transferohen drejtpërdrejt në llogarinë bankare të fondacionit në një bankë të nivelit të dytë.

Në bazë të vendimit, fondacioni është i detyruar të dorëzojë brenda muajit shkurt 2026 raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2025, të miratuar nga bordi drejtues i tij. Gjithashtu, fondet buxhetore që do t’i akordohen, duhet të jenë në përputhje të plotë me rregullat e menaxhimit financiar dhe kontrollit, sipas legjislacionit në fuqi.

V E N D I M

PËR

FINANCIMIN E VEPRIMTARISË SË FONDACIONIT “DURRAH CITY FOOTBALL ACADEMY” PËR VITIN 2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 2, dhe 19, pika 4, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit prej 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) lekësh, të miratuar në buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në programin buxhetor 08140 “Për zhvillimin e sportit”, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, për financimin e shpenzimeve të ushtrimit të veprimtarisë së fondacionit “Durrah City Football Academy”.

2. Fondi i përcaktuar, sipas pikës 1 të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e fondacionit, në bankën e nivelit të dytë.

3. Fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit shkurt 2026, dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2025,  të miratuar nga bordi drejtues i fondacionit.

4. Fondet buxhetore, që do t’i akordohen fondacionit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, duhet t’u nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.

5. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

H.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?