Një vendim qeverie i 26 qershorit 2024, që i bëri një rishikim kategorive të pagave edhe për edukatorët dhe mësuesit në arsimin parauniversitar do të jetë të enjten e 12 qershorit objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese.
Me argumentin se vendimi krijon më së paku pabarazi dhe diskriminim, Sindikata e Mësuesve ka kërkuar shfuqizim të një pjesë të VKM-së e cila sipas tyre ul pagat për një kategori të caktuar arsimtarësh.
Bëhet fjalë pikërisht për kategorinë 2 dhe 3 të nivelit të diplomave, që sipas lidhjes 4 të VKM-së, përcakton vlerë shtesë në pagë sipas kualifikimit 10 mijë dhe 12 mijë lekë shtesë, ndryshe nga një kategori më sipër, që shpërblehet 14 mijë lekë.
Por pse ndodh kjo? Për Report Tv, kryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar Alma Lama sqaron se ‘thembra e akilit’ qëndron tek mënyra se si ligji i arsimt të lartë bën kategorizimin e diplomave para Procesit të Bolonjës në fillim vitet 2000. Para këtij viti studimet për ciklin e ulët ishin 3 vite por titulli merrej i plotë mësues, por me ligjin dhe VKM-në e kundërshtuar ky 3 vjeçar tashmë quhet vetëm bachelor dhe jo diplomë e plotë, gjë e cila ul edhe nivelin e pagës.
“Kemi tre grupe diplome: grupin e diplomës me 140 pagë grupi, grupin e diplomës me 120 pagë grupi dhe grupin e diplomës me 100 pagë grupi. Në këtë grup të fundit bëhet fjalë për mësuesit që janë titulluar mësues për arsimin fillor. Por, nisur nga ligji i arsimit të lartë 80/2015 ku 3 vite quhen 6 semestra, nuk nisemi t’i kategorizojmë sipas programeve të studimit apo titullit të diplomave, por nisemi nëpërmjet viteve. Pra, 3 vite i quajmë bachelor”, thotë Alma Lama, kryetarja e sindikatës së mësuesve.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar thotë se thotë se ky vendim ka prekur të paktën 30% të kësaj kategorie të arsimit, ndërsa është e pafalshme që një pjesë e mësuesve të paguhen më pak se pjesa tjetër për të njëjtën punë.
“Kryeministria shprehet për një numër 6761 mësues, por në fakt është më i madh. Një diplomë që ka marrë titullin e mësuesit nuk mund të quhet bachelor. Jo vetëm në arsimin parashkollor dhe në arsimin 1-5, por edhe te mësuesit që janë mësues matematike, janë mësues fizike dhe kanë mbaruar në Tiranë, por diploma e tyre është master profesional me 90 kredite. Edhe ata nuk e kanë pagën e grupit me 140 por 120”, shprehet Lama.
Për shqyrtimin në Kushtetuese Lama është optimiste, pasi është e bindur se institucionet qeveritare janë gabim.
“Vazhdohet të mendohet nga Këshilli i Ministrave se kjo VKM është në rregull. Kemi edhe bashkitë, nga të cilat varen pagat e parashkollorëve, dhe vazhdon ky karvan mundimesh. Në fakt, do të marrë fund ky rrugëtim më 12 qershor, ku gjykata do të shprehet. Dhe mendoj se do të shprehet pozitivisht, pasi besoj se kemi shkelje të së drejtës së mësuesve dhe diskriminim njëkohësisht”, thotë për Report Tv Alma Lama, kryetarja e sindikatës së mësuesve.
Protestave të sindikatës së mësuesve por edhe organizatave të shoqërisë civile, ministrja e Arsimit Manastirliu 6 marsin e kaluar iu përgjigj me argumentin se në tërësi pagat e mësuesve janë rritur mesatarisht me 180 euro në muaj dhe se harmonizimi i pagave është bërë sipas standardeve të administratës publike.
Komente
