Gjykata Kushtetuese

Kronikë

VKM e llogaritjes së pagave të mësuesve, Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancë publike më 26 qershor

16 Qershor, 10:25| Përditesimi: 16 Qershor, 10:37

  • Share

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në seancë publike padinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit për VKM e llogaritjes së pagave për mësuesit. Seanca do të nisë në orën 10:00. 

Gjykata ndryshoi formën e shqyrtimit të çështjes nga seancë plenare mbi bazë dokumentesh në seancë me praninë e palëve, ku përfaqësuesit do të kenë në dispozicion deri në 20 minuta për parashtrimet e tyre. 

"Për nevoja të përcaktimit të fakteve, Gjykata vendosi ndryshimin e formës së shqyrtimit të çështjes nga seancë plenare mbi bazë të dokumenteve në seancë plenare publike, me praninë e palëve. Për këtë shkak seanca plenare publike do të zhvillohet në datën 26.06.2025, ora 10:00.", thuhet në njoftimin e gjykatës. 

Sindikata e Arsimit ka kërkuar shfuqizim të një pjesë të VKM-së, e cila sipas tyre ul pagat për një kategori të caktuar arsimtarësh, me argumentin se vendimi krijon pabarazi dhe diskriminim. 

Bëhet fjalë pikërisht për kategorinë 2 dhe 3 të nivelit të diplomave, që sipas lidhjes 4 të VKM-së, përcakton vlerë shtesë në pagë sipas kualifikimit 10 mijë dhe 12 mijë lekë shtesë, ndryshe nga një kategori më sipër, që shpërblehet 14 mijë lekë.

Kryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar Alma Lama, e pyetur më herët nga Report TV, ka deklaruar se ‘thembra e akilit’ qëndron tek mënyra se si ligji i arsimit të lartë bën kategorizimin e diplomave para Procesit të Bolonjës në fillim vitet 2000.

Para këtij viti studimet për ciklin e ulët ishin 3 vite por titulli merrej i plotë mësues, por me ligjin dhe VKM-në e kundërshtuar ky 3-vjeçar tashmë quhet vetëm bachelor dhe jo diplomë e plotë, gjë e cila ul edhe nivelin e pagës.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD ankohet në Strasburg për zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK, si e vlerësoni?