Këshilli i Ministrave ka miratuar masën e financimit për bashkësitë fetare që kanë nënshkruar marrëveshje me qeverinë, në kuadër të buxhetit të vitit 2025.
Sipas vendimit të publikuar, 113 milionë lekë do të shpërndahen për katër bashkësitë kryesore fetare në vend, për të mbuluar pjesërisht pagat e administratës dhe të institucioneve arsimore që ato administrojnë, si dhe për investime të veçanta.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfitojë 33.8 milionë lekë, për mbështetjen financiare të 71 punonjësve të administratës dhe 70 të institucioneve arsimore.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Kisha Katolike do të marrin nga 26.4 milionë lekë secila. Fondet janë ndarë për mbështetjen me gjysmën e pagës minimale buxhetore të punonjësve të administratës dhe atyre në sistemin arsimor të këtyre bashkësive.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton 26.36 milionë lekë, të ndarë në tre pjesë: 6 milionë lekë për 25 punonjës të administratës, 13.36 milionë lekë si kontribut për ndërtimin e Teqesë së Shtufit në Gjirokastër, 7 milionë lekë për shkak të pozitës së saj si institucion botëror me qendër në Tiranë dhe veprimtari ndërkombëtare.
Sipas vendimit, Kisha Katolike do të përfitojë një shumë totale prej 26.4 milionë lekësh.
Vendimi i plotë:
PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT NË BUXHETIN E VITIT 2025 PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, 3, 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
1. Masa e financimit, prej 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2025, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:
a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 33 840 000 (tridhjetë e tre milionë e tetëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:
i. 17 040 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e dyzet mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 71 (shtatëdhjetë e një) punonjës të administratës;
ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e mijë) lekë, të ndarë në:
i. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të administratës;
ii. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind mijë) lekë, të ndarë në:
i. 9 600 000 (nëntë milionë e gjashtëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 (dyzet) punonjës të administratës;
ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 26 360 000 (njëzet e gjashtë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, të ndarë në:
i. 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë për financimin, deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 25 (njëzet e pesë) punonjës të administratës;
ii. 13 360 000 (trembëdhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, si kontribut në ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër;
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë, dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2025, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.
2. Kalimi i fondit, përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, bëhet njëherësh, brenda muajit korrik të vitit 2025.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Komente
