Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri për organizimin, funksionimin dhe fushën e veprimit të Policisë Vullnetare, duke shfuqizuar vendimin e vitit 2019. Ky vendim i ri, i mbështetur në ligjin e ri për Policinë e Shtetit, riorganizon nga themeli mënyrën se si qytetarët angazhohen si policë vullnetarë në mbështetje të strukturave shtetërore të rendit.
Çfarë është Policia Vullnetare dhe si funksionon?
Policia Vullnetare është një strukturë ndihmëse, ku qytetarët angazhohen vullnetarisht, pa pagesë, për të mbështetur Policinë e Shtetit në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Këta qytetarë nuk janë punonjës të policisë, por janë të trajnuar dhe të certifikuar për të kryer detyra të caktuara.
Qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i sigurisë publike, forcimi i kapaciteteve të strukturave të Policisë së Shtetit dhe inkurajimi i angazhimit qytetar, duke promovuar bashkëpunimin ndërmjet policisë dhe komunitetit për rritjen e besimit dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Sipas vendimit të publikuar në faqen e Kryeministrisë, shërbimi i policëve vullnetarë nuk zgjat më shumë se 5 orë në ditë dhe 25 orë në javë.
Policët vullnetarë trajnohen nga Akademia e Sigurisë dhe numri i atyre që do të shërbejnë përcaktohet çdo vit nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në bazë të nevojave dhe të propozimeve të drejtorive vendore të policisë, përcakton numrin e policëve vullnetarë. Mes policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë lidhet një kontratë vullnetarizmi, e cila rregullon marrëdhënien ndërmjet palëve, duke përcaktuar të drejtat, detyrimet përkatëse, kohëzgjatjen dhe kushtet e ushtrimit të shërbimit, kriteret për përfshirje, si dhe shkaqet, procedurat dhe pasojat juridike, që lidhen me pezullimin, përfundimin apo zgjidhjen e saj.
Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë, të caktuar nga drejtuesi i strukturës vendore të Policisë së Shtetit.
Fushat ku angazhohen policët vullnetarë
Policët vullnetarë angazhohen në menaxhimin e rendit në aktivitete masive, ndihmojnë në rregullimin e trafikut, patrullojnë pranë institucioneve arsimore, ndihmojnë në parandalimin e krimit, mbrojtjen e mjedisit dhe të pronës, mbështesin policinë kufitare dhe marrin pjesë në operacione emergjencash civile dhe kërkim-shpëtimi.
1-Shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me to për:
a) sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare, duke kryer këto detyra:
i. Ruajtjen e perimetrit të jashtëm të ambienteve ku zhvillohen aktivitetet masive;
ii. Kryerjen e shërbimit së bashku me punonjësit e Policisë së Shtetit në postblloqe/pika kontrolli në zona/rrugë me trafik të kufizuar ose ku ndalohet qarkullimi i automjeteve;
iii. Drejtimin dhe disiplinimin e lëvizjeve të grupeve të tifozëve/spektatorëve/pjesëmarrësve në aktivitet gjatë hyrjes;
iv. Mbledhjen e informacionit me interes për Policinë e Shtetit, veçanërisht për ndeshjet sportive me nivel të lartë rivaliteti, tubime, si dhe veprimtari të tjera publike me pjesëmarrje masive, për të cilat ekzistojnë të dhëna ose dyshime të arsyeshme se mund të ndikojnë në sigurinë ose në rendin publik;
v. Informimin e policisë për situata shqetësuese apo të rrezikshme, duke ndjekur nga afër dhe duke dhënë informacion në vijimësi, deri në mbërritjen e forcave policore;
vi. Këshillimin e publikut dhe shuarjen e konflikteve të lehta ndërmjet palëve që nuk kërkojnë ndërhyrje të specializuar të policisë;
vii. Ndihmën në ruajtjen dhe mbajtjen e lirë të rrugëkalimeve të emergjencës dhe drejtimin e lëvizjes së njerëzve e të automjeteve, sipas korridoreve të caktuara;
viii. Angazhimin për ruajtjen e zonave të parkimit të automjeteve të policisë, ambulancave dhe zjarrfikësve pranë vendit ku zhvillohet aktiviteti;
ix. Këshillimin dhe drejtimin e tifozëve/spektatorëve/pjesëmarrësve në përfundim të aktivitetit gjatë shpërndarjes, sipas korridoreve të caktuara të lëvizjes;
x. Ndihmën në ruajtjen e rendit në ditët e pazareve, festivaleve dhe festave lokale, ku ka grumbullime të mëdha njerëzish.
b) dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale, duke kryer këto detyra:
i. Menaxhimin e qarkullimit të sigurt të nxënësve dhe qytetarëve në kryqëzime dhe pranë shkollave;
ii. Bashkëpunimin me policinë për menaxhimin e kalimeve rrugore apo akseve ku ka një trafik të shtuar, duke përdorur tabelën apo sinjalistikën me duar;
iii. Disiplinimin e mjeteve në stacionim apo lëvizje gjatë panaireve dhe ditëve të pazareve;
iv. Angazhimin në fushata ndërgjegjësuese dhe aktivitete parandaluese me shkollat dhe komunitetin.
c) rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore, duke kryer këto detyra:
i. Patrullimin përreth institucioneve arsimore në këmbë ose me mjete patrullimi, veçanërisht gjatë periudhave të trafikut të rënduar;
ii. Menaxhimin e trafikut pranë shkollave dhe mbështetjen në zbatimin e rregullave të qarkullimit;
iii. Monitorimin e hyrjeve dhe daljeve të fëmijëve për të parandaluar sjellje të rrezikshme;
iv. Monitorimin e aktiviteteve të dyshimta në perimetrin e sigurisë së institucioneve arsimore, duke parandaluar hyrjen e paautorizuar në ambientet e tyre;
v. Mbështetjen e aktiviteteve jashtë orarit mësimor, si ato sportive, artistike, kulturore, për të garantuar sigurinë e nxënësve/studentëve dhe pjesëmarrësve dhe garantimin e sigurisë;
vi. Bashkëpunimin me oficerët e sigurisë pranë shkollave/institucioneve arsimore për reagimin në kohë ndaj situatave emergjente të konflikteve, dhunës apo incidenteve;
vii. Mbështetjen në organizimin e simulimeve për reagimin ndaj situatave të emergjencave civile, ku kërkohet izolimi ose evakuimi dhe dhënia e ndihmës së parë;
viii. Mbështetjen e punonjësve të policisë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit të nxënësve, studentëve, prindërve dhe personelit pedagogjik për çështjet e sigurisë;
ix. Informimin e përgjegjësit të strukturës policore për probleme të ndryshme të sigurisë në shkolla, si shkeljet e ligjit apo identifikimi i personave, të cilët merren me shitjen e drogave të lehta, alkoolit dhe duhanit.
ç) kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit, duke kryer këto detyra:
i. Mbështetjen dhe angazhimin e të rinjve të margjinalizuar në aktivitete parandaluese;
ii. Patrullimin gjatë orëve të natës, veçanërisht në fundjavë në zonat e frekuentuara nga të rinjtë, si baret, klubet e natës, lokalet me muzikë live dhe vende të ngjashme, me qëllim këshillimin dhe ndërgjegjësimin për shmangien e konsumit të tepërt të alkoolit, përfshirjes në konflikte dhe drejtimit të automjeteve nën ndikimin e tij;
iii. Patrullimin pranë vendparkimeve, stacioneve të urbanëve, terminaleve të autobusëve, si dhe në zona të identifikuara me risk të shtuar për sigurinë publike, me qëllim parandalimin e vjedhjeve, sjelljeve të pahijshme apo të dhunshme dhe rritjen e ndjenjës së sigurisë në mjedisin urban e në transportin publik;
iv. Patrullimin me punonjësit e Policisë së Shtetit pranë lagjeve me popullsi heterogjene dhe të margjinalizuar;
v. Bashkëpunimin me organizata komunitare për çështjet e rendit dhe qetësisë publike, duke trajtuar problematika të komunitetit dhe duke mbledhur informacion në kuadër të parandalimit.
d) mbështetjen e policisë në mbrojtjen e pronës, mjedisit dhe zonave të mbrojtura, duke kryer këto detyra:
i. Informimin e autoriteteve për dëmtime të qëllimshme ndaj mjedisit, si prerja e paligjshme e pyjeve, ndotja e ujërave dhe djegia e mbeturinave, si dhe çdo dëmtim tjetër i qëllimshëm i mjedisit, që bie ndesh me legjislacionin përkatës;
ii. Patrullimin me punonjësit e Policisë së Shtetit në rezervate natyrore dhe monumente të kulturës për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme;
iii. Sensibilizimin e komunitetit për ruajtjen e mjedisit.
dh) mbështetjen e Policisë Kufitare, duke kryer këto detyra:
i. Informimin e individëve që kalojnë në pikat e kalimit kufitar për procedurat dhe rregullat apo asistimin e tyre në plotësimin e formularëve të ndryshëm;
ii. Mbështetjen në identifikimin e migrantëve të paligjshëm, asistimin dhe informimin e tyre për procedurat dhe legjislacionin në fuqi për trajtimin e tyre dhe azilkërkimin;
iii. Ndihmën në shërbimet e emergjencës, menaxhimin e flukseve të larta migratore në rastet e krizave humanitare dhe garantimin e kushteve të sigurisë të vendstrehimeve të tyre të përkohshme;
iv. Monitorimin e zonave në distancë në afërsi të kufirit dhe veçanërisht pikat e hyrjes në kufi, të ndryshme nga pikat e zakonshme të kalimit kufitar, duke identifikuar dhe duke parandaluar krimet ndërkufitare.
e) menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv, duke kryer këto detyra:
i. Përmbushjen e detyrave, të përcaktuara nga përgjegjësi i strukturës policore në lidhje me krijimin dhe administrimin e perimetrave të sigurisë në situatat e emergjencave civile, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike;
ii. Mbikëqyrjen dhe sigurimin e zonave të grumbullimit të qytetarëve dhe shpërndarjes së ndihmave humanitare, duke synuar shmangien e çdo rreziku që mund të cenojë sigurinë apo mirëfunksionimin e proceseve të ndihmës;
iii. Mbledhjen e informacionit dhe udhëzimin e publikut në raste emergjencash civile në lidhje me masat mbrojtëse dhe procedurat përkatëse;
iv. Angazhimin në operacionet e kërkim-shpëtimit;
v. Informimin e publikut për personat e zhdukur, si dhe mbledhjen e shkëmbimi të të dhënave me komunitetin për të ndihmuar në gjetjen e tyre;
vi. Bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe organet e tjera kompetente në sigurimin dhe mbrojtjen e vendngjarjeve të ndryshme, ruajtjen e provave, identifikimin dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, si dhe çdo veprim tjetër që ndihmon hetimet dhe garanton integritetin e procesit hetimor;
vii. Dhënien e ndihmës së parë në përputhje me protokollet e emergjencave mjekësore.
ë) mbështetjen e ekipeve për gjetjen e personave të humbur ose në rrezik jete në zonat malore dhe bregdetare.
Kush mund të bëhet polic vullnetar?
Çdo person nga 18 deri në 65 vjeç., që duhet të ketë përfunduar arsimin e mesëm. Të jetë i padënuar dhe me gjendje të mirë shëndetësore. Të ketë kaluar trajnimin në Akademinë e Sigurisë dhe verifikimin e besueshmërisë. Në vendimin e qeverisë thuhet se nuk lejohet angazhimi i gjyqtarëve, prokurorëve, drejtuesve politikë, punonjësve të sigurisë kombëtare, Gardës së Republikës apo Policisë së Burgjeve.
1. Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
c) Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil me masë disiplinore;
ç) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
dh) Të jetë i moshës nga 18 (tetëmbëdhjetë) deri në 65 (gjashtëdhjetë e pesë) vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.
2. Kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:
a) Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë;
b) Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.
Procesi i aplikimit dhe përzgjedhjes
1. Aplikantët që kërkojnë pranimin në shërbimin e policimit vullnetar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Formularin e aplikimit;
b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
c) Dokumentin zyrtar, që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;
ç) Raportin mjeko-ligjor, që vërteton aftësinë e aplikantit për të ushtruar detyrën e policit vullnetar.
2. Procedura e aplikimit fillon pas shpalljes së konkurrimit publik. Aplikanti plotëson formularin e aplikimit dhe e dorëzon së bashku me dokumentacionin e kërkuar në pikën 1, të këtij kreu, në Drejtorinë Vendore të Policisë, ku ka vendbanimin e përhershëm.
3. Pas aplikimit të shtetasit, struktura policore vendore siguron me ndërveprim dokumentet e mëposhtme:
a) Certifikatën e gjendjes gjyqësore;
b) Certifikatën familjare.
4. Struktura përgjegjëse policore shqyrton dokumentacionin e dorëzuar dhe verifikon nëse aplikanti plotëson kriteret e përgjithshme të përcaktuara në pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi.
5.Në përfundim të procesit të verifikimit struktura përgjegjëse njofton me shkrim secilin aplikant për pranimin ose refuzimin e tij/saj.
6. Aplikanti, që kualifikohet për të vazhduar procesin e trajnimit të detyrueshëm në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet procesit të verifikimit të besueshmërisë, që konsiderohet si verifikimi përfundimtar i aplikantit, nëpërmjet strukturave të hetimit të krimit, për të verifikuar faktin që aplikanti apo pjesëtarë të familjes së tij nuk janë të implikuar në veprimtari kriminale.
Të drejtat dhe përgjegjësitë e policit vullnetar
Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave përcakton me detaje edhe të drejtat dhe përgjegjësitë që ka çdo qytetar që shërben si polic vullnetar. Ky status përfshin jo vetëm detyrime etike dhe operacionale gjatë shërbimit, por edhe të drejta ligjore, mbështetje institucionale dhe mundësi trajnimi nga Akademia e Sigurisë. Shërbimi kryhet gjithmonë i paarmatosur dhe nën mbikëqyrjen e strukturave të Policisë së Shtetit.
1. Polici vullnetar ka të drejtë:
a) të njihet paraprakisht me të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e shërbimit të policimit vullnetar, si dhe me sanksionet në rast të mospërmbushjes së detyrimeve, që rrjedhin nga ky vendim dhe nga kontrata individuale e vullnetarizmit;
b) të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë orarit të shërbimit apo jashtë qendrës së banimit, kur ndihmon strukturat policore;
c) të pajiset me veshje, shenja dalluese dhe pajisje të tjera ndihmëse, në përputhje me natyrën e aktiviteteve të vullnetarizmit dhe shërbimeve që do të kryejë, sipas shtojcës 6, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ç) të kërkojë, në mënyrë individuale, vlerësim ose vërtetim pjesëmarrjeje për kontributin e dhënë në punën vullnetare nga struktura vendore e policisë;
d) të ndjekë trajnime falas në Akademinë e Sigurisë, sipas shtojcës 5, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
dh) të njihet dhe të konsultohet me proceset vendimmarrëse që lidhen me strategjitë, politikat, identifikimin e nevojave të komunitetit dhe çështje të tjera që ndikojnë në ushtrimin e detyrës së tij;
e) të përfitojë këshillim ligjor për çështje që lidhen me etikën, integritetin, korrupsionin, konfliktin e interesit, konfidencialitetin dhe aspekte të tjera përkatëse, si dhe të marrë udhëzime praktike dhe shpjegime konkrete për legjislacionin në fuqi, sjelljen e pritshme nga policët vullnetarë, përfshirë edhe procedurat për trajtimin e shkeljeve disiplinore dhe ankimimet e tyre;
ë) t’i njihet kontributi në komunitet përmes vlerësimeve publike ose medaljeve.
2. Polici vullnetar gjatë shërbimit dhe/ose jashtë tij ka përgjegjësi:
a) të ndjekë programin e trajnimit të detyrueshëm;
b) të marrë pjesë në trajnime që organizon Policia e Shtetit për të përmirësuar cilësinë e punës e të shërbimit;
c) të kryejë aktivitetin e vullnetarizmit i paarmatosur, në përputhje me rregullat, udhëzimet dhe kërkesat e etikës së punonjësve të Policisë së Shtetit;
ç) të ruajë sekretin profesional, si dhe konfidencialitetin e të dhënave personale, me të cilat njihet gjatë angazhimit, si polic vullnetar;
d) të zbatojë detyrat dhe udhëzimet e dhëna nga mbikëqyrësi, në nivel vendor i Policisë së Shtetit, përveç rasteve kur:
i. janë në kundërshtim me ligjin;
ii. paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e vullnetarit, si dhe atë të njerëzve të tjerë;
iii. konsiderohen moralisht të papranueshme nga ana e vullnetarit;
iv. janë në kundërshtim me kontratën e vullnetarizmit.
dh) të njoftojë përfaqësuesin apo mbikëqyrësin e Policisë së Shtetit, në lidhje me pasojat kur ndodhet përpara zbatimit të urdhrave, që mund t’i shkaktojnë dëme shëndetit ose jetës së tij.
3. Gjatë shërbimit, polici vullnetar mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar nga veprimet e tij, të kryera në kundërshtim me ligjin.
4. Polici vullnetar kryen shërbime publike në mbështetje të punonjësve të Policisë së Shtetit.
5. Nëse gjatë shërbimit të tij, polici vullnetar përballet me kundërshtime nga shtetas të ndryshëm, ai e përcjell problemin për zgjidhje të mëtejshme te punonjësit e Policisë së Shtetit.
Përgjegjësitë e Policisë së Shtetit
Vendimi përcakton qartë edhe detyrimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si institucioni përfitues i këtij shërbimi. Policia është përgjegjëse për trajnimin, organizimin, mbështetjen materiale dhe ligjore të çdo qytetari që angazhohet në këtë rol, duke garantuar kushte pune, transparencë dhe respektim të të drejtave të vullnetarëve.
1. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është përgjegjëse për përzgjedhjen, trajnimin, organizimin, drejtimin dhe trajtimin e policit vullnetar, duke u siguruar që:
a) të trajnojë paraprakisht kandidatët që do të certifikohen si të aftë për të kryer detyra në ndihmë të Policisë së Shtetit;
b) të sigurojë kushte normale pune për policin vullnetar gjatë kryerjes së detyrave, në bazë të kontratës së shërbimit vullnetar;
c) të ruajë dhe të sigurojë konfidencialitetin e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë së policit vullnetar;
ç) të rimbursojë shpenzimet e kryera nga polici vullnetar gjatë punës vullnetare, sipas akteve nënligjore në fuqi, njëlloj si punonjësit e policisë, kur ai vepron jashtë qendrës së banimit;
d) të lëshojë vërtetim me shkrim për kohën e punës që ai ka shërbyer si polic vullnetar;
dh) të ofrojë bazën e nevojshme materiale për kryerjen e aktivitetit të vullnetarizmit;
e) të sigurojë plotësimin e kushteve të nevojshme për respektimin e të drejtave të policit vullnetar;
ë) të trajtojë policin vullnetar, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 16, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”;
f) të pajisë policin vullnetar me dokument identifikimi, lidhur me statusin që ai gëzon, sipas modelit të përcaktuar në shtojcat 2 dhe 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
H.K/SI.E./ReportTv.al
Sondazhi i ditës:
Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?
-
Pozitive
49.6%
-
Negative
40.9%
-
Nuk e di
9.6%
Vota total: 563