TikTok

Politikë

Mbyllja e TikTok, zbardhet vendimi: Zgjat deri kur kompania të vendosë filtra, të shmangen përmbajtjet e dhunës apo bullizmi

6 Mars, 16:26| Përditesimi: 6 Mars, 16:55

  • Share

Është publikuar VKM për mbylljen e TikTok në Shqipëri, ku në vendim bëhet me dije se mbyllja e TikTok do të zgjas deri në momentin që kompania do të vendos filtra.

Po ashtu, në vendim theksohet se kompania duhet që të vendosë filtra në gjuhën shqipe, në mënyrë që të shmangen përmbajtjet e dhunës apo bullizmi në këtë rrjet social. 

'Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 1, 139, pika, 2, 174 e 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të  pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr.18/2017, “Për  të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit dhe Sportit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:

1. Ndërprerjen e aksesit në platformën on-line “TikTok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.  Ndërprerja e platformës on-line “TikTok” zgjat deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta.

Po ashtu, në vendim thuhet se pas vendosjes së filtrave të nevojshëm nga “TikTok”, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi.

'Caktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore sektoriale e nëpërmjet tyre, si dhe autoritetet e tjera, që përfshihen në këtë proces, për të komunikuar e negociuar me përfaqësuesit e platformës on-line “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera on-line, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital, duke përfshirë:  operimin efektiv të sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës, operimit të sistemeve të kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve, shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhe urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm, përshtatjen e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare. Pasi të realizohet nga platforma on-line “TikTok” vendosja e filtrave të nevojshëm, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi', thuhet në VKM. 

Vendimi për mbylljen e TikTok u mor nga qeveria pas një konsultimi të gjerë publik në dhjetor 2024. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Studentët dhe të rinjtë kujt duhet t’i japin prioritet: