Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë, duke hapur rrugën për njohjen reciproke të kontributeve të qytetarëve që kanë punuar në të dy vendet.
Vendimi u mor në përputhje me nenin 100 të Kushtetutës dhe ligjin nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Marrëveshja ka për qëllim garantimin e të drejtave të sigurimeve shoqërore për shtetasit shqiptarë dhe serbë, duke mundësuar transferimin dhe njohjen e periudhave të sigurimit, përfitimeve të pensionit dhe përfitimeve të tjera të lidhura me sigurimet.
Shqipëria dhe Serbia parafirmosën vitin e kaluar marrëveshjen kuadër në fushën e sigurimeve shoqërore. Kjo marrëveshje iu siguron qytetarëve shqiptarë një sërë përfitimesh, si: pensionin e pleqërisë, përfitimet e barrëlindjes, pensionin familjar, atë të invaliditetit, etj. Ajo gjithashtu siguron bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë që qytetarët të mos humbasin vitet e tyre të punës.
Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Zvicrën dhe me Kroacinë.
VE N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË SERBISË, PËR SIGURIMET SHOQËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë, për sigurimet shoqërore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
Komente
