TIRANË- Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për transferimin në pronësi të Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH) të një pasurie shtetërore me sipërfaqe 6 hektarë në ish-zonën ushtarake të Farkës në Tiranë. Kjo pronë do të shfrytëzohet për ndërtimin qendrës multifunksionale “Expo Albania”.
Vendimi i Këshillit të Ministrave autorizon Korporatën e Investimeve Shqiptare të veprojë si zhvilluese e kësaj prone shtetërore dhe të nisë menjëherë procedurat për zbatimin e projektit.
Në këtë qendër do të organizohen evente, panaire e deri tek koncerte. Brenda saj do të ketë edhe hotele me 3 apo 4 yje. Qendra do të përfshijë disa salla ekspozimi, konferencash dhe mbledhjeje, auditorë si dhe të gjitha hapësirat e nevojshme mbështetëse, teknike dhe të magazinimit.
Gjithashtu, Korporata është e autorizuar të nisë procesin e negociimit me subjektet private për lidhjen e kontratave për zhvillimin e projektit. Po ashtu, i jepet autorizimi për të proceduar me prishjen e objekteve ekzistuese në këtë parcelë, për të bërë të mundur zhvillimin e plotë të projektit.
VENDIM PËR TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË KORPORATËS SË INVESTIMEVE SHQIPTARE TË PASURISË SHTETËRORE NR.867/7, NË ZONËN KADASTRALE 1604, PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT TË INVESTIMIT “EXPO ALBANIA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe në zbatim të shkronjës “a”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, me NIPT: M01917011D, të pasurisë shtetërore nr.867/7, në zonën kadastrale 1604, për realizimin e projektit të investimit “Expo Albania”.
2. Autorizimin e shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pasurisë nr.867/7, në zonën kadastrale 1604, sipas këtij vendimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i cili ka si qëllim, ndër të tjera, përmbushjen e interesit publik.
3. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronës nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes, në përputhje me konceptidenë arkitekturore që ka dalë fituese nga konkursi ndërkombëtar.
4. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronës së transferuar në pronësi, në funksion të realizimit të projekteve të saj të investimit.
5. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit, si dhe të sigurojë regjistrimin në emër të Republikës së Shqipërisë/ /Korporatës të pronës së re shtetërore që do të krijohet në kuadër të projektit të investimit.
6. Në funksion të realizimit të projektit të investimit “Expo Albania” dhe në zbatim të pikës 5, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, ngarkohet Korporata e Investimeve Shqiptare të kryejë procesin e konsolidimit të pasurisë nr.867/7, në zonën kadastrale 1604, në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes faktike dhe ligjore të pronës.
7. Në funksion të zhvillimit të pronës së përcaktuar në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objektit, pjesë e pasurisë nr.867/7, në zonën kadastrale 1604.
8. Në listat e pronave, që i bashkëlidhen vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, hiqet pasuria shtetërore nr.867/7, në zonën kadastrale 1604.
9. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Komente
