Pogradec

VKM/ Nga Liqeni i Pogradecit te Pishë Poro-Nartë, qeveria shpall 10 peizazhe të mbrojtura

25 Shtator, 21:12| Përditesimi: 25 Shtator, 23:01

  • Share

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka marrë sot vendimin për shpalljen e 10 zonave në vendin tonë peizazhe të mbrojtura. Mes 10 zonave përfshihet edhe liqeni i Pogradecit, zona Pishë Poro-Nartë apo edhe Bjeshkët e Oroshit në Mirditë. Peizazhet e mbrojtura janë kategoria e pestë e zonave të mbrojtura.

Më poshtë kemi listuar 10 vendet që hynë në kategorinë ‘Peizazh i mbrojtur ujor/tokësor’:

1. Shpallet peizazh i mbrojtur ujor/tokësor zona ‘Bisht-Kamzë’

2. Shpallet peizazh i mbrojtur ‘Bjeshkët e Oroshit’

3. Shpallet peizazh i mbrojtur ‘Kuturman - Qafë-Bushi’

4. Shpallet peizazh i mbrojtur ujor/tokësor zona ‘Rrushkull’

5. Shpallet peizazh i mbrojtur zona ‘Bredhi i Drenovës - Sinicë’

6. Shpallet peizazh i mbrojtur ujor/tokësor lumi Buna, Velipojë

7. Shpallet peizazh i mbrojtur ‘Guri i Nikës - Valamarë - Lenie’

8. Shpallet peizazh i mbrojtur ‘Krastë - Verjon’

9. Shpallet peizazh i mbrojtur ujor/tokësor ‘Liqeni i Pogradecit’

10. Shpallet peizazh i mbrojtur ujor/tokësor ‘Pishë Poro -Nartë’

Ndër veprimtaritë e lejuara në peizazhin e mbrojtur ujor/tokësor janë ato kërkimore-shkencore, me qëllim edukimin mjedisor, veprimtaritë me qëllim monitorimin e gjendjes mjedisore, të ekosistemit, të habitateve dhe të llojeve floristike e faunistike; çdo veprimtari, që lidhet me ndërhyrjet e nevojshme ose urgjente për përmirësimin e biodiversitetit, të rigjenerimit, ose çdo veprimtari tjetër për këtë qëllim, veprimtaritë e zhvilluara në struktura miqësore me biodiversitetin dhe mjedisin, apo veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të turizmit/agroturizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse.

Ndërkohë veprimtaritë e ndaluara në peizazhin e mbrojtur ujor/tokësor janë ato të cilat përkeqësojnë, shkatërrojnë dhe/ose çojnë në humbjen e habitateve natyrore, të tilla si kultivimi e mbarështimi i specieve invazive dhe joendemike, të cilat mund të dëmtojnë zinxhirin ekzistues të botës së gjallë të zonës së mbrojtur, fragmentimi i habitateve, grumbullimi i kafshëve të egra, gjuetia, si dhe mbjellja e llojeve monokulturë (në pyllëzime).

Veprimtaritë, që ndryshojnë përdorimin e territorit si ndërtimet, trajtimi i ujërave të zeza në ferma, ndërtimi i autostradave, i kanaleve lundruese dhe i zonave urbane, si dhe veprimtari të ngjashme me këto, lejohen të ushtrohen vetëm nëse subjekti që kërkon të kryejë veprimtarinë është pajisur me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

 

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 26/09/2024 00:56

    Deri sa te dale ndonje /investitor strategjik/,ndonje oligark,ndonje deputet/minister me biznese,ndonje miliarder me /ide zhvillimore/apo ndonje mik,vella,kunat,etj dhe pastaj po me VKM gjejme /arsyen/e u zvogelojme siperfaqet,u hame hektaret,apo japim ndonje /leje/!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?