Kryeministria

Politikë

VKM/ Prodhimi dhe tregtimi i municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, miratohen kushtet e negocimit të 'KAYO' sh.a me shoqëri private

10 Korrik, 19:58| Përditesimi: 10 Korrik, 20:22

  • Share

Këshilli i Ministrave miratoi sot kushtet e negocimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri private për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm.

Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a., me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, në Shqipëri në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.

Sipas vendimit, shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 20% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuar nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.

Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti, me të cilin negocion, minimalisht një vlerë investimi jo më të ulët se 60 milionë euro në harkun kohor të  3 (tre) vjetëve, punësimin e jo më pak se 80 punonjësve në harkun kohor të 3 viteve si edhe ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë si dhe sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.

Vendimi i plotë:

PËR KUSHTET E NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI PRIVATE PËR PRODHIMIN DHE TREGTIMIN E MUNICIONEVE TË KALIBRAVE TË VEGJËL E TË MESËM. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a., me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.

2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 20% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.

3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuar nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.

4. Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti, me të cilin negocion, minimalisht:

a) një vlerë investimi jo më të ulët se 60 milionë euro në harkun kohor të  3 (tre) vjetëve;

b) punësimin e jo më pak se 80 (tetëdhjetë) punonjësve në harkun kohor të  3 (tre) vjetëve;

c) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë;

ç)  sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.

5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e municioneve për Forcat e Armatosura, si dhe municionet për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.

6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet/n me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.

7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se minimalisht 30% të këshillit drejtues ose të këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO” sh.a.

8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat për të drejtën e vetos që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të                               ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.

9. Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

10. Autorizohen shoqëria “KAYO”, sh.a., dhe shoqëria private, me të cilën do të bashkëpunojë, të furnizojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me municione nëpërmjet shoqërisë që do të krijohet, në përputhje me këtë vendim.

11. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”,  sh.a., për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?