Lara Colturi

Sport

VKM/ Qeveria i jep 10 mln lekë Federatës së Skive, mbështetje për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026'

23 Korrik, 17:35| Përditesimi: 23 Korrik, 17:37

  • Share

TIRANË- Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim për financimin e Federatës Shqiptare të Skive me një fond prej 10 milionë lekësh, si mbështetje për përgatitjen dhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”.

Sipas vendimit, fondi do të përballohet nga buxheti i vitit 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, konkretisht nga programi buxhetor “Zhvillimi i sportit”.

Federata Shqiptare e Skive do të duhet të dorëzojë brenda muajit gusht 2025 një plan të detajuar veprimtarie, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e saj, që do të përcaktojë mënyrën e përdorimit të fondit.

Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026” do të zhvillohen në Itali, nga 6 deri më 22 shkurt 2026 dhe Shqipëria përfaqësohet nga Lara Colturi.

V E N D I M PËR FINANCIMIN E FEDERATËS SHQIPTARE TË SKIVE  PËR MBËSHTETJE DHE PËRGATITJE PËR PJESËMARRJE NË LOJËRAT OLIMPIKE DIMËRORE MILANO CORTINA 2026

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 13, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Financimin, në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për Federatën Shqiptare të Skive (FSHS) për mbështetje dhe përgatitje për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026.

2. Fondi i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e Federatës Shqiptare të Skive, në një bankë të nivelit të dytë, dhe përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, në programin buxhetor 08140 “Zhvillimi i sportit”.

3. Federata Shqiptare e Skive, brenda muajit gusht 2025, të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit planin e detajuar dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Skive të veprimtarisë, për të cilën do të përdoret ky fond.

4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Federata Shqiptare e Skive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?