Kryeministria

Politikë

VKM/ Shoqëri e përbashkët për prodhimin e mjeteve motorike! Kushtet e negocimit të 'Kayo' me privatët, jo më pak se 15 mln € investim dhe 150 punonjës në 3 vite

11 Qershor, 22:33| Përditesimi: 12 Qershor, 14:31

  • Share

Qeveria shqiptare ka hedhur një tjetër hap konkret drejt zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, duke miratuar në mbledhjen e sotme, 12 qershor, kushtet për nisjen e negociatave ndërmjet shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a. dhe subjekteve private për krijimin e një shoqërie të përbashkët aksionare.

Kjo shoqëri do të ketë për qëllim prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme, që do të përdoren nga Forcat e Armatosura, strukturat e sigurisë dhe emergjencat civile. Sipas vendimit, çdo subjekt privat me të cilin “KAYO” negocion duhet të sigurojë një investim minimal prej 15 milionë euro brenda një periudhe 3-vjeçare, si dhe punësimin e të paktën 150 punonjësve gjatë së njëjtës periudhë.

Partneri privat duhet gjithashtu të ofrojë linja teknologjike të prodhimit të mjeteve të blinduara sipas nevojave të ushtrisë dhe standardeve të NATO-s, si dhe të sigurojë rrjetin e shpërndarjes për eksportet eventuale.

Shoqëria shtetërore “KAYO” do të mbajë një pjesëmarrje jo më të ulët se 45% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët dhe do të kontribuojë me një pasuri të paluajtshme jo më pak se 20,000 m², që do të vihet në dispozicion pa të drejtë tjetërsimi.

Gjithashtu, “KAYO” do të ketë një rol kyç në menaxhimin e shoqërisë së re, përfshirë të drejtën e vetos dhe përfaqësimin në organet drejtuese:

-Minimalisht 50% e anëtarëve të këshillit drejtues ose mbikëqyrës do të emërohen nga “KAYO”.

-Administratorët do të zgjidhen me dakordësinë e saj.

Përmes strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, “KAYO” do të garantojë sigurinë fizike të ambienteve të prodhimit, si dhe mbrojtjen e të dhënave teknike dhe projektive. Kompania e përbashkët do të ketë të drejtë të furnizojë Forcat e Armatosura të Shqipërisë me mjetet e prodhuara, në përputhje me ligjin dhe vendimin e sotëm të qeverisë.

2 javë më parë qeveria miratoi kushtet e negocimit mes Kayo-s dhe privatit për prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake përmes një shoqërie të përbashkët, ku shteti do të jetë aksioner me 40%.

VKM:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri tregtare private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim, me qëllim, mes të tjerave, prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile.

2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të ketë një pjesëmarrje jo më të ulët se 45% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private, sipas këtij vendimi.

3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i vihen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.

4. Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, minimalisht:

a) një vlerë investimi jo më të ulët se 15 milionë euro në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve;

b) punësimin e jo më pak se 150 (njëqind e pesëdhjetë) punonjësve në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve;

c) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të mjeteve të blinduara, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të standardeve të NATO-s;

ç)  sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.

5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e mjeteve ushtarake dhe mjeteve për përdorim nga strukturat e sigurisë e të emergjencave civile.

6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërcituara, zgjidhen/t me dakordësinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.

7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se minimalisht 50% e këshillit drejtues ose këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.

8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.

9. Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë negociatave ofron nëpërmjet strukturave të ruajtjes dhe sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë garancinë e sigurisë fizike të ambienteve të prodhimit të mjeteve ushtarake, të dhënat teknike dhe tregtare në lidhje me këto mjete dhe sigurimin e çdo informacioni teknik dhe projektimi të këtyre mjeteve, në përputhje me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e tyre.

10. Autorizohen shoqëria “KAYO”, sh.a., dhe shoqëria private, me të cilën do të bashkëpunojë, të furnizojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me mjetet që do të prodhohen nëpërmjet shoqërisë që do të krijohet, në përputhje me këtë vendim.

11. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”,  sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?