Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi kushtet e negocimit mes shoqërisë shtetërore KAYO dhe një subjekti privat për prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake.
Në VKM thuhet se shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 40 % të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
Gjithashtu, shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negocimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, punësimin e jo më pak se 400 punonjësve në periudhën kohore të 3 vjetëve, si dhe një vlerë investimi jo më pak se 15 milionë euro.
VKM:
“V E N D I M PËR MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI PRIVATE PËR PRODHIMIN DHE TREGTIMIN E UNIFORMAVE USHTARAKE DHE AKSESORËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, për prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 40 % të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 (njëzet mijë) m², që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
4. Shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, të paktën:
a) një vlerë investimi jo më pak se 15 milionë euro në periudhën kohore të 3 (tre) vjetëve;
b) punësimin e jo më pak se 400 (katërqind) punonjësve në periudhën kohore të 3 (tre) vjetëve;
c) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të uniformave dhe aksesorëve të tjerë, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë;
ç) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.
5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve për Forcat e Armatosura, si edhe uniformat e aksesorët për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.
6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se administratori/ët e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet/n me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.
7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se të paktën 30 % e përbërjes së këshillit drejtues ose këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.
8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
9. Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore, të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
10. Autorizohen shoqëria “KAYO”, sh.a., dhe shoqëria private me të cilën do të bashkëpunojë të furnizojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me uniforma ushtarake dhe aksesorët përkatës nëpërmjet shoqërisë që do të krijohet, në përputhje me këtë vendim.
11. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Komente
