Kryeministria

Politikë

VKM/ Qeveria miraton shpronësimet për rikonstruksionin e rrugës 'Engjëll Agalliu' në Dimal

25 Qershor, 19:30| Përditesimi: 25 Qershor, 20:10

  • Share

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpronësimin e disa pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga zbatimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës Engjëll Agalliu”, në lagjen “18 Tetori”, Bashkia Dimal, Berat.

Sipas VKM, kompensimi për pronarët do të kryhet në vlerë të plotë për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një shumë totale prej 190 833 lekësh. Sipas vendimit, shpenzimet procedurale prej 50 000 lekësh do të mbulohen gjithashtu nga buxheti i bashkisë. Pronarët përfitojnë kompensim vetëm pasi të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm pranë Bashkisë Dimal.

Gjithashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, nëpërmjet zyrave vendore në Berat dhe Kuçovë, do të kryejë hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe do të regjistrojë kalimin e pronësisë në emër të bashkisë.

'V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS “ENGJËLL AGALLIU”, NË LAGJEN “18 TETORI”, BASHKIA DIMAL”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave, V E N D O S I: Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës “Engjëll Agalliu”, në lagjen “18 tetori”, Bashkia Dimal”.

Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Dimal.  Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 190 833 (njëqind e nëntëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë e tre) lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 190 833 (njëqind e nëntëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë e tre) lekësh përballohet nga buxheti i Bashkisë Dimal. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Dimal. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Dimal.

Bashkia Dimal kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Dimal. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat dhe Drejtoria Vendore Kuçovë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Dimal, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Dimal, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Dimal, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat dhe Drejtoria Vendore Kuçovë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Berat për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?