Garda e Republikës

Politikë

VKM/ Qeveria miraton vendimin, ish-zyrtarët mund të marrin mbrojtje nga Garda, nëse u rrezikohet jeta për shkak të detyrës që kanë pasur

16 Korrik, 20:02| Përditesimi: 16 Korrik, 20:11

  • Share

Qeveria ka miratuar një vendim të ri që u jep të drejtë ish-zyrtarëve të lartë shtetërorë të përfitojnë mbrojtje personale dhe për banesën nga Garda e Republikës, nëse janë të rrezikuar pas përfundimit të detyrës së tyre.

Sipas vendimit, mbrojtja jepet vetëm nëse rreziku lidhet drejtpërdrejt me funksionin e mëparshëm dhe kërkesa duhet të paraqitet brenda 6 muajve nga largimi nga detyra.

Vendimi i mbrojtjes merret nga një Komision i Posaçëm, ku bëjnë pjesë përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, dhe mbrojtja nuk mund të zgjasë më shumë se 1 vit, përveçse në raste të veçanta.

Vendimi i plotë:

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, TË PROCEDURAVE   DHE TË KOHËZGJATJES SË MBROJTJES PERSONALE DHE BANESËS SË PERSONALITETEVE TË TJERA  PAS PËRFUNDIMIT TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, pika 4, e 14, pika 3, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave V  E N D O S I: I. KUSHTET PËR TË PËRFITUAR MBROJTJEN E VEÇANTË

1. Garda e Republikës së Shqipërisë ruan e mbron, pas përfundimit të detyrës, personalitetet apo banesën e tyre, kur u rrezikohet jeta, shëndeti apo familja, për shkak të detyrës që kanë kryer.

2. Kushtet për të përfituar ruajtjen fizike dhe mbrojtjen e banesës janë:

a) prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, shëndetin apo familjen e personalitetit apo banesën e tij, brenda gjashtë muajve nga përfundimi i detyrës;

b) prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe ushtrimit të funksionit të mëparshëm nga personaliteti.

II. PROCEDURA PËR DHËNIEN E MBROJTJES SË VEÇANTË

1. Kërkesa për mbrojtjen, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, i paraqitet me shkrim ministrit të Brendshëm nga vetë personaliteti i rrezikuar.

2. Kërkesa për mbrojtje përmban:

a) gjenealitetet e plota të kërkuesit;

b) një përmbledhje të fakteve dhe të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për personalitetin apo banesën e tij, të cilat e detyrojnë të kërkojë mbrojtje edhe pas përfundimit të detyrës.

3. Ministri i Brendshëm urdhëron menjëherë, por jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë, mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për të bërë vlerësimin e kërkesës.

4. Komisioni i Posaçëm vlerëson kërkesën e paraqitur, si autoriteti vendimmarrës për mbrojtjen e veçantë.

5. Pas shqyrtimit të kërkesës për nevojën e mbrojtjes së personalitetit apo të banesës së tij, komisioni merr vendim brenda 48 (dyzet e tetë) orëve. Vendimi u njoftohet ministrit të Brendshëm dhe personalitetit të rrezikuar.

6. Komisioni, në procesin e shqyrtimit të kërkesës për mbrojtje, sipas këtij vendimi, mund të kërkojë informacione nga institucione të tjera.

7. Vendimi përmban nivelin e sigurisë dhe masat e mbrojtjes, numrin e truprojave apo të rojeve për banesën, afatin e mbrojtjes, si dhe masa të tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.

8. Mbrojtja e personalitetit apo e banesës zgjat për aq kohë sa janë të pranishme rrethanat e rrezikut, por jo më shumë se një vit.

9. Me përfundimin e afatit maksimal të mbrojtjes, sipas pikës 8, të këtij kreu, Komisioni i Posaçëm vendos për:

a) vijimin e mbrojtjes me të njëjtat masa;

b) përfundimin e mbrojtjes;

c) ndryshimin e masave të sigurisë.

10. Pas vendimit të komisionit, Garda e Republikës merr menjëherë në mbrojtje personalitetin apo banesën e rrezikuar, duke zbatuar masat e përcaktuara në vendim.

III. PËRBËRJA DHE FUNKSIONIMI I KOMISIONIT TË POSAÇËM

1. Komisioni i Posaçëm përbëhet nga:

a) zëvendësministri i Brendshëm;

b) zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;

c) zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës;

ç) një përfaqësues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

d) një përfaqësues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;

dh) një përfaqësues nga Shërbimi Informativ i Shtetit, në nivel drejtor drejtorie;

e) një përfaqësues nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në nivel drejtor drejtorie.

2. Kryetar i Komisionit të Posaçëm, të përcaktuar në pikën 1, të këtij kreu, është zëvendësministri i Brendshëm.

3. Pjesëmarrja në mbledhjet e komisionit është e detyrueshme. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se 5                       (pesë) anëtarë me të drejtë vote.

4. Vendimet e komisionit janë të vlefshme kur miratohen nga më shumë se gjysma e anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

5. Kryetari i komisionit cakton një sekretariat teknik, i cili mbështet organizimin, funksionimin dhe mban procesverbalin e zhvillimit të mbledhjes.

IV. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?