Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i Qendrës Kinostudio”. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
VKM:
V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I QENDRËS KINOSTUDIO”, BASHKIA TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i Qendrës Kinostudio”, Bashkia Tiranë.
Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë”, “apartament” dhe “njësi”, me një vlerë të përgjithshme prej 135 729 849 (njëqind e tridhjetë e pesë milionë e shtatëqind e njëzet e nëntë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë) lekësh.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 135 729 849 (njëqind e tridhjetë e pesë milionë e shtatëqind e njëzet e nëntë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë) lekësh përballohet nga Bashkia Tiranë.
Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Tiranë.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim, për çdo pasuri, objekt shpronësimi, që miratohet me anë të këtij vendimi, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, i konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi.
Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri dhe Drejtoria Vendore Tiranë Jug, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri e Drejtoria Vendore Tiranë Jug, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Komente
