Foto Ilustruese

Politikë

VKM/ Trajnimi i rekrutëve të rinj të Ukrainës, 8 ushtarakë shqiptarë pjesë e misionit në Mbretërinë e Bashkuar

22 Janar, 19:47| Përditesimi: 22 Janar, 19:51

  • Share

Këshilli i Ministrave miratoi  sot (22 janar) vendimin për pjesëmarrjen në operacionin ushtarak ndërkombëtar “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut të 8 ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e sotme, misioni është trajnimi i rekrutëve të rinj të Ukrainës, komandantëve të skuadrave deri në nivel toge për përdorimin e armëve të këmbësorisë, të xhenios, dhënien e ndihmës së parë, lidership, luftë në qendra të banuara dhe taktikë.

Venddislokimi është në bazën Wretham, Norfolk, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

Kohëzgjatja e këtij misioni është 1 vit, afat që fillon të llogaritet nga data e dërgimit të personelit të parë në mision.

Periudha e qëndrimit në mision, për çdo përfaqësues, është me sistem rotacioni në çdo 6 muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrje dhe dorëzim detyre, vonesa të transportit strategjik).

Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për: dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 lekë në ditë, përveç pagës mujore; sigurimin e jetës; siguracionin shëndetësor jashtë zonës së operacionit; mbështetjen shëndetësore; shërbime interneti; transportimin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerje disipline; aktivitete social-kulturore, në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së misionit; çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.

Transporti i personelit, që shërben në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi dhe lavanderia përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, me përjashtim të rasteve, ku do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjes dy- ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

Për zbatimin e vendimit ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

V E N D I M PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK “INTERFLEX”  NË MBRETËRINË E BASHKUAR TË BRITANISË SË MADHE DHE IRLANDËS SË VERIUT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363,datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pjesëmarrjen në operacionin ushtarak ndërkombëtar “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut të 8 (tetë) ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

2. Misioni është trajnimi i rekrutëve të rinj të Ukrainës, komandantëve të skuadrave deri në nivel toge për përdorimin e armëve të këmbësorisë, të xhenios, dhënien e ndihmës së parë, lidership, luftë në qendra të banuara dhe taktikë.

3. Venddislokimi është në bazën Wretham, Norfolk, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

4. Kohëzgjatja e këtij misioni është 1 (një) vit, afat që fillon të llogaritet nga data e dërgimit të personelit të parë në mision. Periudha e qëndrimit në mision, për çdo përfaqësues, është me sistem rotacioni në çdo 6 (gjashtë) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrje dhe dorëzim detyre, vonesa të transportit strategjik).

5. Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për:

a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;

b) sigurimin e jetës;

c) siguracionin shëndetësor jashtë zonës së operacionit;

ç) mbështetjen shëndetësore;

d) shërbime interneti;

dh) transportimin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerje disipline;

e) aktivitete social-kulturore, në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së misionit;

ë) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.

6. Transporti i personelit, që shërben në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi dhe lavanderia përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, me përjashtim të rasteve, ku do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjes dy- ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve.

7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

8. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Secila parti në zgjedhje me 46 deputetët e parë të fiksuar, si e vlerësoni?