Andrea Stefani

Vlera e çmuar e një shkolle me emrin Andrea Stefani

12 Shtator 2022, 10:16| Përditesimi: 12 Shtator 2022, 10:28

  • Share

Nxënësit e zonës së Astirit dhe të hyrjes së Tiranës, që do të frekuentojnë që nga sot shkollën e re “Andrea Stefani” janë të bekuar. Duhet ta mësojnë gjatë ditëve të tyre për nxënësinë e dijeve, se janë futur nën aureolën e një shkolle që mban emrin e gazetarit, i cili dijen e kishte si bukën e përditshme. Të parën.

Në të atëhershme “Gazeta Shqiptare”, drejtuar nga Carlo Bollino, ishim pak vetë në redaksi dhe Andrea Stefani mbante peshën e madhe të gazetarit të ekonomisë në një Shqipëri të vështirë të fillimviteve ’90.

Andrea, për ne më të rinjtë, ishte si një mësues që kishte përherë gati nga një kuic matje kulture, qoftë nga një vepër arti, qoftë nga një libër, qoftë nga një film. Nuk ishte e rrallë të prezantohej me një foto nga një skulpturë e Mikelanxhelos, një varg nga Shekspiri, një batutë nga Dostojevski për të kuptuar se cilët ishin në të vërtetë gazetarët e rinj dhe sa “bukë” kulture mbanin në “trastat” e tyre. Trishtohej, tërhiqej në tavolinën e tij kur askush përqark nuk dinte të përgjigjej, nervozohej me ata që as nuk donin t’ja dinin, gëzohej me kë, edhe pse nuk ishte përgjigjur saktë, dëshironte që të mësonte më shumë. Dhe pikërisht në këto rrethana Andreas i shkëlqenin sytë dhe nuk lodhej të fliste. Për Kulturën.

Bashkë me Fatos Baxhakun, në kohën kur po formohej e para gazetari profesionale, llogarikërkuese, qytetare e shtetformuese, do të mbeten dy shtylla të pastra, të drejta e të vlefshme në kohën kur në Shqipëri, shumë të tjerë bënin tepër zhurmë.

E ndërsa zhurma vazhdon të jetë ende e fortë në vendin tonë të shtrenjtë, sidomos nga njerëz që baltën e antikulturës e kanë si bukën e tyre të përditshme, shpejt do të vijë ajo ditë, kur shiu i ndërgjegjësimit, informimit të saktë, shtetformimit dhe sidomos e diturisë, do të nxjerrë në dritë diamante të rrallë që Shqipëria mbante dhe mban, mes këtyre diamantëve Andrea e kishte këtë shkëlqim. E vërteta, ishte një vlerë e madhe e tij dhe të vërteta nxorri disa mbi sipërfaqe në punën në gazetari. Si ajo e faktimit të kontrabandës së naftës nga Shqipëria drejt Serbisë.

Në shkollën “Andrea Stefani”, por dhe të gjithë shqiptarët anembanë duhet ta mësojnë se si qytetari dhe gazetari, me dijen dhe inteligjencën e tij, me logjikën dhe informacionet, zbuloi me fakte dhe shifra se qeveria e atëhershme shqiptare importonte sasi të jashtëzakonshme nafte (sikur Shqipëria të ishte një vend gjigand), për t’ja kaluar kontrabandë, duke thyer embargon, Serbisë së Millosheviçit që kishte masakruar Kosovën. Ishte atëherë sikur sot Zelensky, në luftë me Putinin, të lejonte ta furnizonte atë përmes Ukrainës, me lëndë apo të tjera meteriale që i ka të ndaluara nga saksionet.

Shqiptarët gjithashtu, por dhe nxënësit e mrekullueshëm të shkollës në Astir që sot mban emrin e tij, do ta mësojnë në vitet që vijnë se nga ai zbulim i jashtëzakonshëm, nga ai faktim perfekt i kontrabandës në të atëhershme “Gazeta Shqiptare”, asgjë nuk ndodhi, askush nuk u hetua dhe u ndëshkua, madje Shteti dhe struktura të tij u hakmorrën dhe ndëshkuan gazetarët, por këto janë të tjera histori që do të vijnë më qartë dhe më pastër një ditë.

Do të ishin subjekte të denja për filma Hollivudi, por kushedi, ndoshta pikërisht ndonjë nxënës i shkollës së bukur në Astir, (regjisor apo skenarist i ardhshëm) mund të frymëzohet e të bëjë një film, duke ua treguar të gjithë shqiptarëve se cilat janë vlerat e paçmuara të një gazetari-qytetar si Andrea Stefani në një shoqëri.  Sot për sot le ta gëzojnë shkollën me emrin e tij.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Besa: 12/09/2022 23:47

    Komplimente per shkrimin!

    Përgjigju
  • Toni: 12/09/2022 12:06

    E mbaj mend . Personalitet me fame ne fushen e gazetarise. Si e shante ky Salen asnjeri nuk arrinte madje as Muç Nano. Kur te vdes Muçi do i vene nje shkolle ne kombinat emrin e tij.

    Përgjigju
    • jovani: 17/06/2023 17:55

      JO,,,,, TONI DO I VENE EMRIN TEND,,,SE TI E MERITON SI MI HALEJE QE JE,,,

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?