Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri akuzoi këtë të mërkurë kryeministrin Edi Rama për mosjustifikim pasurie.
Në një deklaratë për mediat, Pampuri publikoi disa dokumente zyrtare përmes së cilave pretendon se provohen se të ardhurat e deklaruara të kreut të ekzekutivit dhe bashkëshortes së tij nuk kalojnë vlerën e 100 milionë lekëve dhe nuk justifikojnë dot vlerën 400 milionë lekë të shtëpisë në Surrel.
Në vitin 2011, përpara nisjes së ndërtimit të shtëpisë, Edi dhe Linda Rama kanë deklaruar se, të dy bashkë, zotërojnë rreth 80 milionë lekë. Në vitin 2012, Edi Rama ndërton shtëpinë e tij në Surrel dhe kur mori detyrën e kryeministrit një vit më vonë deklaroi se ka shpenzuar plot 400 milionë lekë për ndërtimin e saj, pra plot 5 herë më shumë sesa kursimet që kishte gjendje çifti Rama.
Sipas deklaratës së pasurisë që vetë kanë dorëzuar në 2013-ën rezulton se, pasi kanë deklaruar shtëpinë 400 milionë lekë, pra, pasi kanë shpenzuar kursimet e jetës, 80 milionë lekë, Edi dhe Linda Rama jo vetëm nuk kanë deklaruar borxh por pasuria e tyre është shtuar, duke deklaruar se kanë gjendje plot 92 milionë lekë.
Dokumentat zyrtarë faktojnë se të ardhurat e Edi Ramës më 2013-ën nuk e justifikojnë dot vlerën 400 milionë lekë të shtepisë superluksoze në Surrel.
Orjola Pampuri, Deputete e Partisë Demokratike
Në fund, Pampuri shtroi pyetjen se ku mund t’i ketë gjetur Rama 400 milionë lekë për ndërtimin e shtëpisë në Surrel. "Ka ardhur koha që Edi Rama i oxhakut 18 mijë euro të pergjigjet dhe të mos fshihet më pas fustanit të gruas", u shpreh ajo.