Vlerat lart, atje ku fluturojnë shqiponjat

31 Mars 2020, 12:39| Përditesimi: 31 Mars 2020, 14:39

  • Share

“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar

Zemrën ti m’a gatove plot me dëshirë e me zjarr.”

NAIM FRASHËRI

Jam shqiptare dhe krenare për atë gjë edhe se tashmë kam kaluar më shumë vite në Itali se sa në tokën time. Magjia e rrënjëve është e fuqishme.  Është e lidhur me dashurinë e natyrshme për tokën time dhe, në mënyrë të pandashme, me pasqyrimin e vlerave njerëzore të Vendit tim. Një tokë e një magjepsjeje të lashtë që shpesh bota bashkëkohore duket se nuk ka sy për ta soditur.

Vitet e para të jetës më kanë formuar dhe më kanë krijuar themelin mbi të cilin kam ndërtuar vështrimin vetjak të s’ardhmes. Ato rrënjë kanë ndriçuar çdo herë sfidat e mija  që kam përballuar dhe ecjen e vështirë të atij që largohet nga Vendi i tij.

Rrënjët e mija janë njerëz, veprime, vende, tregime.... që nuk është gjithmonë e lehtë të rrëfehen nëse nuk i ke jetuar vetë.

Të rritur në një veçim tepër të gjatë ëndërronim shtete, vende  të përfytyruara të përsosura me vlera të njëjta ose më të larta se tonat... ashtu sikurse imagjinata e një fëmije mund të çojë nëpër mënd.

Pastaj u rrita dhe kuptova se përfytyrimi dhe realiteti kanë fytyra të ndryshme. Kështu bota e përsosur e përfytyruar nga një vend  i vogël i humbur zbulohet një botë e ndryshme.

Por ti vazhdon  të punosh duke ndjekur atë skelet të ngulitur në mëndje që fëmijë e vazhdon t’a kërkosh pa pushim, duke shkuar drejt shumë zhgënjimesh.

Por ja që në botën në të cilën banoj duket një përbindësh i padukshëm i aftë të shkaktojë vuajtje të tmerrshme. Ja një armik i padukshëm që bën botën të heshtë. Një armik që nuk dihet se si duhet luftuar e që nuk sheh në sy asnjë.... nuk kursen as gra e fëmijë.

Ky përbindësh godet qytetin që më ka mirëpritur prej më se njëzet vitesh. Dora dorës zhvendoset shpejt duke mbuluar me heshtje e dhimbje gjithë Italinë.

Kjo Itali që aq bujare ka qenë me ne shqiptarët gjendet e sëmurë e nevojtare për ndihmë, për ngushëllim, për fjalë t’ëmbla që t’i lehtësojnë dhimbjet e tmerrshme.

Megjithatë në heshtje ngrihen fjalë t’ashpra.... që në shtratin e një të sëmuri nuk duhet të shqiptoheshin kurrë. Janë ende më të dhimbëshme me që arrijnë nga brendia e vetë familjes së saj.

Fjalë që i arrijnë vendit të mbyllur në izolim në shtëpitë e tyre e në dhimbjet e tyre. Një mbyllje që e çon secilin prej nesh të përsiasë mbi kushtet parake të njeriut  e mbi rrugëtimin  e tij për t’u quajtur i tillë.

Në kërkimin e një bari konkret për ta zhdukur, si një cunami vjen  i vetmi bar i efektshëm për këtë virus: ngrihen të fuqishme vlerat njerëzore.

Solidariteti e mirënjohja, si një erë e  nxehtë ngrohin shpresën... shpresën se asgjë nuk është e humbur, që nuk jemi vetëm e që mund të fitojmë. Ajo erë trupëzohet tek tridhjetë mjekë e infermierë që vijnë nga Vendi im, një Vend i varfër në kushtet e tij ekonomike, por i pasur në shpirt.

“Nuk jemi të pasur por jo pa kujtesë. Nuk mund t’i lejojmë vetes të mos i vërtetojmë Italisë se shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun në vështirësi”

Fjalët që shoqëruan nisjen, të shqiptuara nga kryeministri i ynë, janë fjalë që do të dëshironte të shqiptonte çdo shqiptar nga çfarëdo cep i botës në të cilin ka qenë i shtrënguar të mërgojë.

 “Faleminderit Vendit tënd”, “ç’fjalë të bukura”, “jam i emocionuar”, “ një mësim stili e solidariteti”, janë mesazhe të miqve të mi italianë, të prekur nga zemra e Vendit tim.

U zgjova e lumtur sot, një ditë në të cilën është e vështirë të jesh e lumtur... zgjohem e lumtur sepse si shqiptare më rreh zemra e mallëngjyer për shpirtin e madh të Vendit tim, aq të perceptueshëm për të gjithë dhe ndjehem e kuptuar në krenarinë që kam në zemër për të qenë bijë e asaj toke.

Vetëm me veprime të tilla mund të shpresojmë në një botë më të mirë e të ndryshme kur të ketë kaluar e gjithë kjo. Veprime që nuk vijnë nga pasuria lëndore por nga pasuria e vlerave njerëzore, të afta të lindin mirëqenien e vërtetë.           

*Një shkrim per Shqiptarja.com nga Elena Merlika, stërmbesa e ish-kryeministrit Mustafa Kruja Merlika

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?