Ervin Mete

Vlerësimi pozitiv i ekonomisë nga ‘Standard&Poors’, Mete: Kemi financa të forta, investimet e huaja arritën 700 mln €

24 Shtator 2023, 13:58| Përditesimi: 24 Shtator 2023, 15:50

  • Share

Vlerësimi pozitiv i ekonomisë së Shqipërisë nga agjencia Standard&Poor's, për Ministrin e Financave Ervin Mete, tregon progresin që ka bërë vendi në menaxhimin e financave publike.

“Agjencitë e vlerësimit pasi mbledhin dhe analizojnë informacione për të dhënat ekonomike - PBB, inflacionin, politikat fiskale dhe monetare, stabilitetin politik dhe faktorë të tjerë institucionalë të rëndësishëm, - gjykojnë sesi vendi menaxhon financat e tij, nëse ka një qëndrueshmëri institucionale, si edhe ecurinë e ekonomisë dhe reformave. Bazuar në këto analiza, agjencia e vlerësimit jep një vlerësim që mund të ndikojë në koston apo interesat e vendit në huamarrje”, tha Mete.

Mete vlerëson se vendimmarrja e agjencisë pas 7 vitesh, e klasifikon Shqipërinë tek grupi i vendeve me financa të forta publike.

“Dje agjencia Standard & Poor’s rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive, duke konfirmuar vlerësimin B+. Ky rishikim, pas gati shtatë vitesh, është një hap në drejtim të grupit të vendeve që konsiderohen me financa publike më të forta. Vlerësimi i Standard&Poor’s është pasqyrë e politikave ekonomike, menaxhimit të kujdesshëm fiskal dhe përpjekjeve pozitive në zbatimin e reformave strukturore dhe procesin e integrimit evropian. Në veçanti ulja e nivelit të borxhit publik dhe progresi i reformave kanë qenë një faktor i rëndësishëm për këtë vlerësim pozitiv”, u shpreh ministri.

Në deklaratë për mediat Mete bëri edhe një përmbledhje të treguesve ekonomik të vendit përgjatë këtij viti, duke nisur nga rënia e inflacionit, rritja e punësimit dhe ecuria pozitive e investimeve të huaja.

“Vlerësimi i përmirësuar është një tregues i progresit dhe trendit pozitiv të ekonomisë Shqiptare. Rritja ekonomike ka mbetur e qëndrueshme dhe relativisht e lartë, afro 4% në terma vjetorë, pavarësisht vështirësive që po has ekonomia botërore. Inflacioni u rikthye në trend ulës brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke arritur në 4% në muajin gusht 2023. Papunësia ka arritur nivelet më të ulëta historike, prej 10.7% në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, ndërkohë që pjesëmarrja në tregun e punës është përmirësuar ndjeshëm. Investimet e huaja vazhdojnë të rriten me ritme të shpejta, duke arritur në afro 700 milionë euro në 6-mujorin e parë të vitit 2023”, theksoi në dalje për mediat ministri i Financave Ervin Mete.

Ministri ndalet edhe tek turizmi, ku thekson nevojën për shtim të kapaciteteve pritëse.

“Turizmi ka patur një zgjerim të jashtëzakonshëm që kërkon një ndjekje të dedikuar sa i përket përmirësimit të kapaciteteve pritëse dhe shërbimeve të lidhura me industrinë mbështetëse të këtij sektori. Si rezultat i përmirësimit të bilancit tregtar, të ardhurave nga turizmi dhe i investimeve të huaja direkte, ka patur përmirësim të ndjeshëm të ekuilibrit të jashtëm. Llogaria korrente, rezultati i të gjithë marrëdhënieve të vendit me jashtë, pritet të zbresë poshtë 6% të PBB-së për herë të parë pas 15 vitesh”, tha Mete.

Një ditë më parë, Shqipëria mori vlerësim pozitiv nga agjencia kombëtare e vlerësimit Standard and Poor’s. Më 22 Shtator 2023, agjencia ka rishikuar perspektivën e saj për Shqipërinë nga “e qëndrueshme”, në “perspektivë pozitive”. Në të njëjtën kohë, agjencia rikonfirmon vlerësimin e vendit në “B+”.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Luzja: 24/09/2023 14:30

    Ky po ky..erdhi ky dhe po na tregon rritjen ekonomike. Shefi I kabinetit te Arben Ahmetaj kur ky I fundit ishte minister.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?