Ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj po kalon një moment tejet të vështirë. Përveç rezultateve negative më shqetësues është fakti i dorëheqjes së presidentit Alban Xhaferri, i cili tashme ka blerë ekipin e futbollit.
Alban Xhaferri, sponsor: “Unë publikisht kam deklaruar dorëheqjen e parevokueshme për arsye të angazhimeve, të mos dedikimit ndaj basketbollit. Është një keqardhje për mua sepse kam investuar për disa vite, jam munduar të bëj maksimumin për ta ngritur basketbollin. Angazhimi im te futbolli më pamundëson për të vazhduar më tej.”
Edhe pse nuk do jetë më president Alban Xhaferri thotë se nuk do ta lërë ekipin në mes të katër rrugëve.
Alban Xhaferri, sponsor: “Unë do vazhdoj ta mbështes basketbollin si sponsor. Do ti mbështes djemtë me aq sa kam mundësi.”
Aktualisht po punohet dhe pritet që shumë shpejt ekipi i Vllaznisë në basketboll të ketë një president të ri, por deri atëherë figura të shquara të këtij sporti në Shkodër i kanë dalë zot ekipit.
Bledar Gjecaj, trajner basketbolli: “Kam ardhur të ndihmojë skuadrën gjithmonë si punë vullnetare krahas punës te ekipi i femrave sepse aty jam i fokusuar. Kjo derisa të arrihet një zgjidhje për trajnerin e ardhshëm sepse edhe situate financiare nuk është shumë e mirë.”
Për shkak të situatës së krijuar trajneri i mëparshëm Nikola Milatovic u shkarkua, ndërsa disa basketbollistë u larguan për faktin se nuk ishin në nivelin ku pretendonin.