Vllaznia është rikthyer shpejt te rezultatet pozitive, pasi ka thyer Partizanin 1-0 në një moment kritik të kryeqytetasve ku më shumë se kurrë iu duhej vazhdimësia. Golin vendimtar të ndeshjes në ‘Loro Boriçi’ e realizoi Liridon Latifi, ndërsa Partizani nuk barazoi pavarësisht se shkodranët dolën me të kuq në minutën e 66.
“Një gol shumë i rëndësishëm ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Në fund ia arritëm me fitu dhe jemi shumë të kënaqur. Kemi marrë shumë besim pas kësaj fitoreje dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm sepse jemi duke bërë një punë shumë të mirë,”-u shpreh Liridon Latifi, futbollist i Vllaznisë.
“Ishte një lojë e mrekullueshme e djemve. Edhe pse ishim me 10 lojtarë treguam se ne luftojmë deri në fund. Fati na buzëqeshi ne,”-deklaroi Alban Xhaferri, president i Vllaznisë.
Te Partizani janë të zhgënjyer, pasi duket qartë se nuk mund të luftojnë për titull, por ndërkohë akuzojnë edhe Vllazninë për mungesa ‘fair play’ nga momenti që mbeti me një lojtar më pak.
“Unë nuk e kam matur, por do shoh se sa lojë efektive është bërë pasi Vllaznia mbeti me një lojtar më pak. Unë e kam thënë para ndeshjes që të luash në Shkodër është kënaqësi për disa arsye, por nuk i shkon Vllaznisë që atë pjesë të mbetur të lojës të zhduken të gjithë topat që ishin rreth fushës dhe mbetën vetëm 2-3,”-tha Ilir Daja, trajner i Partizanit.
Sfida tjetër e javës së 12 të Superligës mes Skënderbeut dhe Egnatias u fitua 2-0 nga korçarët.