'Vllaznia ka lojtarët më të mirë në Superligë', Migen Memelli para ndeshjes me kryesuesit: Kemi tre rikthime, na penalizon kalendari

26 Shtator 2023, 13:44| Përditesimi: 26 Shtator 2023, 16:20

  • Share

Vllaznia dhe Egnatia luajnë nesër në 18:00 në "Loro Boriçi" për javën e gjashtë në Superligë. Përpara ndeshjes për mediet foli trajneri i shkodranëve, Migen Memelli. Pogradecari vlerësoi kundërshtarin që kryeson renditjen me 10 pikë, teksa për të lojtarët që ka në dispozicion janë më të mirët.

Memelli tregon se Juric, Qarri dhe Asani nuk kanë gradë të lartë dëmtimi dhe do jenë së shpejti me grupin.

"Është ndeshje shumë e rëndësishme, jemi koshientë. Luajmë me vendin e parë dhe ata kanë cilësi individuale brenda. Këto ditë jemi munduar që të rikuperohemi me aq kohë sa kemi. Luajmë kundër një kundërshtari që është më i miri në Superligë. Në 12 ditë kemi bërë 3 ndeshje dhe jemi konsumuar fizikisht. Nga këto vijnë edhe dëmtimet. Kemi besim te pjesa tjetër e lojtarëve që kemi. Për çështje kartonash apo dëmtimesh, i vjen radha secilit dhe duhet të bëjë mirë për veten dhe klubin. Luajmë nga 102 minuta çdo ndeshje dhe konsumi është i madh", tha Memelli.

Më pas trajneri foli edhe për dëmtimet dhe ngjeshjen e kalendarit.

"Juric e kemi rikuperuar, Qarri nuk ka shkallë të lartë dëmtimi ashtu siç mendonim. Edhe Asani nuk do mungojë aq gjatë sa u tha në fillim. Gëzohemi që Qarrin do e kemi shpejt dhe ai ka bërë mirë këtë javë. Portieri është 50 përqind e ekipit dhe ai është një djalë fantastik që nuk dorëzohet kurrë. Për dy javë do e kemi", tregoi trajneri.

Për Memellin lojtarët që ai ka në dispozicion janë më të mirët në Superligë.

"Nesër na duhet loja në grup dhe të jemi solidë. Kundër Teutës të gjithë lojtarët ishin në lartësinë e tyre, jo sepse u fitua ndeshja, kishim krijmtari dhe raste të shumta. Na duhet larmia dhe kujdesi në dy fazat e lojës që të dalim me sukses edhe kundër Egnatias. Mua nuk më bind askush dhe them se lojtarët e Vllaznisë janë më të mirët në Superligë. Këtë bindje të kenë edhe lojtarët që të bëjnë mirë, kështu do shkojnë gjërat mirë. E them me bindje, Vllaznia ka organikë shumë të mirë, me lojtarë që ulin kokën dhe punojnë. Të gjitha skuadrat luftojnë", tregoi Migen Memelli.

Pas javës së pestë, Vllaznia me tetë pikë mban vendin e tretë, ndërsa Egnatia me dhjetë pikë kryeson Superligën së bashku me Tiranën. 

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?