SHKODËR - Vllaznia rikthehet pas katër vitesh në turin e dytë të një kompeticioni evropian. Pasi kaluan letonezët e BFC Daugavpils në turin e parë të Conference League, shkodranët përballen të enjten në orën 20:30 kundër Vikingur Reykjavik në "Loro Boriçi". Përballja e parë e turit të dytë kualifikues u komentua nga stafi shkodran, me Edi Martinin dhe kapitenin Bekim Balaj që dolën para medieve.
Trajneri Edi Martini tha se Vllaznia nuk është favoritë kundër islandezëve, por ata do bëjnë më të mirën përpara tifozëve të tyre, edhe pse kanë disa probleme dhe mungesa.
"Vllaznia në turin e dytë? Jemi të kënaqur, kualifikimi këtu ishte detyrim, paçka se me mund të madh. Kënaqësia ishte më e madhe pas dy ndeshjeve të para. Nesër është histori tjetër, janë të fortë fizikisht dhe janë në vendin e parë në kampionat. I pashë ndeshjen e fundit, humbën por luajnë mirë. Kanë që të hënë në Shkodër. Janë më favorit se ne për të kaluar, por kjo nuk do të thotë që s'do bëjmë më të mirën. Qato nuk do jetë nesër, na bën dëm të madh. Edhe Sala ka temperaturë dhe po bën serum. Kemi 25 emra dhe mund të bëjmë zëvendësime.
Ne nuk futemi si favoritë. Kemi fokusin këtu dhe do japim më të mirën, ne do luftojmë për të kaluar.
Afrimet e reja? Deri nesër nuk e di, do shohim gjendjen. Duhet të përshtaten. Në sekondën e fundit vendosim, sepse dua që ata që do jenë në fushë të kenë edhe anën fizike dhe mentale të duhur. Bismarc ka kohë te Skënderbeu dhe është mirë. Leone (portieri) vjen nga një temperaturë 15 gradë dhe nuk është ambientuar.
Tradita e viteve të fundit na ka lënë shije të keqe, por kam besim që do bëjmë një ndeshje në maksimumin e tyre. Rezultati është edhe çështje fati, por ne do bëjmë tonën.
Nesër ne duhet të fitojmë, ka shumë gjëra që na bëjnë të futemi për fitore. Ata kanë luajtur një ndeshje të fortë, kanë udhëtuar gjatë dhe kanë temperaturat kundër. Shpresoj që Zoti të jetë me ne. Të ulim kokën dhe të punojmë sepse kemi një rrugë të gjatë.
Nesër ndeshja e parë në shtëpi pas rikthimit - Ka emocion, unë jam lindur dhe rritur këtu duke ndjerë dashurinë e tifozëve. Do bëj çmos që çdo ditë që jam këtu të realizoj ëndrrën që kanë tifozët e Vllaznisë", tha Martini.
Para medieve foli edhe Bekim Balaj, kapiteni i kuqebluve që tha se mbështetja e tifozëve do jetë një shtysë për ta në ndeshjen e parë.
"Kaluam turin e parë me vështirësi, luajmë në shtëpinë tonë dhe mbështetja e tifozëve është një shtysë për ne. Ne kishim besim se do kalonim dhe përmbysëm ndeshjen e parë. Rivalët janë mes sezonit, kanë minuta dhe janë të favorizuar në këtë pjesë. Ne kemi besim dhe do provojmë gjithçka që të kalojmë më tej. Kualifikimi arrihet me dy ndeshje, ne luajmë në shtëpi dhe një rezultat i mirë na jep më shumë besim. Largimi i Dodaj? Dua ta përgëzoj për lëvizjen jashtë, është djalë dhe sportist me vlera. Ta ketë rrugën e mbarë dhe ta shohim sa më lart", tha Balaj.
Komente
