Vllaznia ka bërë surprizën duke kaluar turin e parë kualifikues të Conference League. Skuadra shkodrane ka përmbysur humbjen 0-1 një javë më parë në Elbasan Arena, duke fituar 2-4 në sfidën e kthimit kundër Daugavpils.
Skuadra shkodrane e nisi shumë mirë në Letoni, duke zhbllokuar që në minutën e 22 me Mensah, por brenda pjesës së parë vendasit përmbysën 2-1. Megjithatë, shkodranët nuk u dorëzuan dhe, para se të shkonin në dhomat e zhveshjes, rikthyen baraspeshën.
Në pjesën e dytë, goli i Dodajt në minutën e 74 dhe i Kubazit në të 87-ën i dhanë kualifikimin Vllaznisë. Skuadra shkodrane, pas dy ndeshjeve, kualifikohet me rezultatin e përgjithshëm 3-4 në turin e dytë të Conference League.
Në turin e dytë të Conference League, Vllaznia do të përballet me fituesin e çiftit Malisheva e Kosovës - Vikingur e Islandës. Ndeshja e parë është fituar 0-1 nga Vikingur, ndërsa sonte luhet sfida e kthimit.
Komente
