Kukësi ka marrë një tjetër goditje të fortë në luftën për një vend në Kupat e Europës, pasi verilindorët janë mposhtur 2-1 nga Vllaznia në përballjen direkte. Në ‘Loro Boriçi’ vendimtar ishte goli i Çobës në minutën e 96, që shkaktoi shumë zemërim te Kukësi, pasi pretendojnë për pozicion jashtë loje. Në fund kjo solli edhe braktisjen e konferencës, ndërsa te Vllaznia ishin të lumtur.
“Derisa jemi në vendin e tretë është fitore Europe. Gjithsesi duhet të mendojmë mirë për ndeshjet e radhës. Duhet të mos fluturojmë sepse nga vendi i tretë kalon prap në vendin e pestë,”-tha Elvis Plori, trajner i Vllaznisë.
“Nga mënyra sesi shkoi ndeshja mu kuajtuan emocionet e sezonit të kaluar kur në disa ndeshje shënuam në minutën e fundit,”-u shpreh Alban Xhaferri, president i Vllaznisë.
“Ishte goli i tretë që shihej nga VAR-i dhe shpresoja që të ishte i rregullt dhe jam shumë i kënaqur. Për ne çdo ndeshje është finale dhe shpresoj të shkojmë në Europë tani,"-deklaroi Mehdi Çoba, futbollist i Vllaznisë.
Sakaq Dinamo dhe Skënderbeu kanë ndarë pikët në javën e 33 pasi në Kamëz kanë barazuar 1-1. Në përfundim të ndeshjes trajneri i korçarëve Gega ka sulmuar ashpër arbitrin Jorgji, duke e quajtur ‘ordiner’ për shkak të gjykimit.
Ndërkohë sfida tjetër e së hënës mes Teutës dhe Egnatias është mbyllur 3-1 në favor të durrsakëve.