Vllaznia dhe Dinamo luajnë nesër në 16:00 në "Loro Boriçi" për raundin e 34-t në Superligën e futbollit. Dueli i së shtunës do jetë i pari për Thomas Brdaric para tifozëve vendas në rikthimin e tij në stolin shkodran.
Për mediet, një ditë para ndeshjes kroato-gjermani tregoi se ka mungesën e Stojanovic dhe me gjasë edhe të Krymit. Ai kërkon një lojë sulmuese dhe gola për të arritur objektivat.
"Çdo ndeshje është një sfidë e re. Ia dolëm mirë kundër Egnatias dhe tani kemi mendjen te Dinamo. Në skemën tonë kemi pasur ndryshime dhe na duhet të provojmë formacionin për nesër.
Kohë për idetë tuaja në ekip - Më e rëndësishme është të dalim nga periudha e vështirë që kaluam. Kemi edhe tri ndeshje dhe punojmë për të gjetur formacionin që na përshtatet në çdo duel. Kemi lojtarë që na vlejnë dhe secili lojtar e ka aftësinë për të qenë në fushë. Ka lojtarë që njoh dhe të rinj.
Deri nesër kemi kohë për të vendosur me stafin për titullarët. Dje dhe sot kemi punuar me anën taktike dhe kemi disa variante për nesër. Fatkeqësisht kemi mungesën e Stojanovic. Edhe Krymi nuk është në formën më të mirë, jemi 50/50 nëse do futet apo jo në fushë. Është lojtar i rëndësishëm për ne, por kemi lojtarë që mund ta zëvendësojnë.
Na duhet të krijojmë, të luajmë futboll të bukur, por në fund të ditës është rezultati që vlen.
Vllaznia më sulmuese? Ju më njihni, duam të jemi më aktivë dhe të mbajmë topin. Më e rëndësishme është të shënojmë, sesa të mbajmë topin. Na duhet balancë. Nëse shohim statistikat, nuk kemi qenë sulmues në ndeshjet e fundit. Për të shkuar në majë na duhen gola.
Dinamo ambicioze - E kemi analizuar si çdo ekip tjetër. Për momentin ata janë në balancë. Duhet punë kundër tyre dhe nëse ata nuk hyjnë në vendin e katërt do e kenë falë nesh. Duhet të punojmë ne më tepër që ata mos përmbushin objektivat. I njoh disa lojtarë prej tyre dhe janë të mirë.
Tri ndeshje për nëntë pikë - Kjo është gjëja më e mirë dhe punojmë për këtë.
Klasifikimi - Jam realist, na duhet fat dhe të kemi momentin në anën tonë. Ne jemi ekip i fortë që së bashku me tifozët nesër do ia dalim. Pres t'i shoh nesër në "Loro Boriçi" për maksimumin", tha Thomas Brdaric.
Me 55 pikë Vllaznia pozicionohet në vendin e dytë, pesë pikë më pak se Egnatia kryesuese. Pikërisht më 28 prill në rikthimin e tij te Vllaznia, Bradric siguroi tri pikë pasi të tijtë mundën 0-1 Egnatian në Rrogozhinë. Dinamo me 47 pikë renditet në vendin e katërt dhe ka presion të madh për këtë pozicion që të çon në "Final 4".