Elvis Plori do jetë Drejtori i ri Sportiv i Vllaznisë. Lajmin e kanë konfirmuar vetë shkodranët, që i besojnë trajnerit të U-21 postin e rëndësishëm në klub. Me një biletë për në fazën kualifikuese të Conference League, Vllaznia ka bërë ndryshimet e duhura për të konkurruar sa më mirë në nivelin evropian.
"Klubi i Futbollit Vllaznia ka filluar menjëherë punën organizative për një pjesmarrje sa më dinjitoze në Kupat e Evropës dhe arritjen e objektivit maksimal në sezonin e ri 2023-2024. Duke vlerësuar përpjekjet, egon, ambicjet dhe dëshirën për të krijuar një kolektiv me mentalitet fitues, pozicioni i Drejtorit Sportiv pranë Klubit të Futbollit Vllaznia i është besuar trainerit kampion të Superligës U-21, z.Elvis Plori", njoftojnë shkodranët.
Kujtojmë se Plori ka qenë ndihmëstrajner te Vllaznia, ndërsa për pak kohë ka qenë edhe teknik i ekipit të parë. Pas sigurimit të Evropës, në Shkodër nuk kanë humbur kohë dhe kanë zgjedhur Drejtorin Sportiv, vend që ishte lënë bosh pas ndryshimeve të pak javëve më parë.