SHKODËR - Nuk ka paqe për Vllazninë e futbollit. Prej 13 janarit në buletinin e FIFA-s janë afishuar edhe klubet që e kanë merkaton të bllokuar për tre dritare transferimesh dhe një prej tyre janë edhe kuqeblutë. E gjitha kjo situatë vjen për shkak të borxheve të pashlyera ndaj ish-futbollistëve ose ish-zyrtarëve.
Kalvari i dënimeve për Vllazninë filloi më 26 dhjetor, me FIFA-n që bllokoi shkodranët. Dy borxhe kanë pasur shkodranët asokohe, një ndaj Lorik Boshnjakut në shumën 20 mijë euro dhe një ndaj FC Valeta në lidhje me transferimin e Eslit Salës.
Lorik Boshnjaku
Mesfushori kaloi te Vllaznia në verën e 2022 dhe u largua në korrikun e 2024. Duket se Vllaznia nuk e kishte shlyer 29-vjeçarin nga Prishtina dhe ai fitoi gjyqin kundër ish-klubit, me FIFA-n që i dha të drejtën për të marrë pagat që kapnin një shumë deri te 20 mijë euro.
Eslit Sala
Mbrojtësi kaloi te Vllaznia në verën e 2023 nga FC Valetta në Maltë. Klubi i mëparshëm i Salës kërkoi dëmshpërblimin për formimin e lojtarit dhe FIFA ia njohu të drejtën, për shumën që duhet të ishte diku te 80 mijë euro.
Pagesa dhe hapja e markatos
Vetëm disa ditë më parë Vllaznia ia doli të zhbllokonte merkaton duke derdhur në arkat e personave/klubeve që fituan gjyqet diku te 100 mijë euro.
Por, vetëm pak ditë më pas në një kontroll të thjeshtë në faqen e FIFA-s rezulton se sërish klubi shkodran e ka merkaton e bllokuar për tre dritare transferimesh dhe këtë herë ende nuk dihet se me kë futbollist e ka humbur gjyqin Vllaznia.
Zgjidhja
Me të paguar shumën e borxhit FIFA bën njohjen e saj dhe lejon klubin shkodran që të regjistrojë lojtarë të rinj. Kujtojmë se këtë afat kalimtar te Vllaznia kanë firmosur me mbrojtësin Serjan Rapaj dhe sulmuesin Alfred Mensah, teksa kanë gjetur akordin për rikthimin në ekip të fantazistit Victor Da Silva.