Vllaznia është finalja e parë e ‘final-four’. Shkodranët do të diskutojnë finalen e sezonit me një mes Partizanit dhe Egnatias, pasi në gjysmëfinalen e parë në Arenën Kombëtare mposhtën 2-1 Dinamon. Të besuarit e Brdaric realizuan dy herë në pjesën e parë me penallti, që u kthyen në gol nga Bekim Balaj, ndërsa ‘nëndetësja’ pavarësisht të gjitha përpjekjeve u ndal te goli i Itodos. Pretendimet në kampin kryeqytetas kanë qenë të mëdha, fillimisht nga trajneri Daja dhe më pas i gjithë stafi. Madje kjo solli edhe një përplasje fizike në ambientet e brendshme të stadiumit. Presidenti i Dinamos Ardian Bardhi u kap fizikisht me drejtorin e Vllaznisë Tefik Osmani, ndërsa për të qetësuar situatën ndërhyri policia.
Sontë në Arenën Kombëtare do të luhet gjysmëfinalja tjetër mes Egnatias dhe Partizanit, me të kuqtë të cilët ‘final-four’ e siguruan në javën e fundit dhe që kundër rrogozhinasve favoritë u duhet vetëm fitorja, pasi barazimi i eliminon.
“Një ekip që është në ‘final-four’ ka presion, por duhet të jetë pozitiv. Për ne shumë e rëndësishme që jemi këtu ashtu si erdhën situatat. Tani nuk është se jemi në gjumë pas kësaj arrritje. Do luajmë dhe do ta kthejmë në festë se jemi Partizani dhe duhet të bëjmë tonën,”-u shpreh Skënder Gega, trajner i Partizanit.
“Partizani me ardhjen e profesorit ka treguar që është shumë agresiv dhe lufton vetëm për fitore,”-tha Marçelino Preka, futbollist i Partizanit.
Në kampin rrogozhinas pohojnë se do të hynë në fushë duke menduar vetëm për fitoren.
“Sigurisht që kemi dy rezultate por futbolli shpeshherë ka treguar se të dënon. Ne duhet të fokusohemi te loja dhe mos të kemi mendjen te rezultati, por të luajmë si të barabartë,”-tha Edlir Tetova, trajner i Egnatias.
Në 6 ndeshje këtë sezon kundër njëra-tjetrës Egnatia ka fituar 2, barazuar 1 dhe ka humbur 3 kundër Partizanit.
Komente
