Sport

Vllaznia zhvendoset në 'Elbasan Arena', bashkia sposton koncertin nga stadiumi! Klubi: Çështja është adresuar në UEFA

19 Qershor, 13:07| Përditesimi: 19 Qershor, 15:30

  • Share

SHKODËR - Vllaznia do ta luajë ndeshjen e parë të Conference League kundër letonezëve të BFC Daugavpils në "Elbasan Arena". Paçka faktit se Bashkia Shkodër e spostoi koncertin e këngëtarit Bujar Qamili nga stadiumi "Loro Boriçi" për në sheshin e qytetit, dokumentacioni i paraqitur në UEFA nga drejtuesit e Vllaznisë dhe miratuar nga organet e futbollit evropian nuk ka kthim pas.

Vllaznia kërkoi t'i paraprinte 'telenovelës' së stadiumit dhe kërkoi një tjetër impiant për ndeshjet e saj, kjo sipas kërkesës së UEFA-s. Në kohën kur këta të fundit dhanë miratimin që ndeshja të luhej në "Elbasan Arena" dhe Vllaznia zyrtarizoi gjithçka në kanalet e komunikimit, kreu i bashkisë Shkodër, Benet Beci reagoi duke bërë prapaktheu dhe duke thënë se koncerti nuk do mbahej në stadiumin "Loro Boriçi", duke e spostuar për në sheshin para bashkisë së Shkodrës.

Tanimë as Vllaznia nuk do e luajë në "Loro Boriçi" ndeshjen kundër BFC Daugavpils të programuar për në 10 korrik dhe as koncerti nuk do mbahet në stadium (21 qershor). "Lufta" disa ditore mes Bashkisë Shkodër dhe Klubit të Futbollit Vllaznia kishte vetëm një përfundim dhe humbës, tifozët; të cilët nuk do ndjekin nga pranë ekipin e tyre.

Në një reagim të kësaj të enjteje, KF Vllaznia konfirmon se ndeshja do luhet në "Elbasan Arena" paçka vendimit të Bashkisë, që duket i vonuar. Aty thuhet se kjo çështje u adresua edhe në UEFA.

Ndërkohë ata nxjerrin edhe një shkresë që Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar zyrtarëve të Bashkisë. Nga ana e saj KF Vllaznia kujdeset të përshëndesë vendimin e spostimit të koncertit dhe të ritheksojë "se kjo çështje nuk ka qenë kurrë personale apo politike, por thjesht dhe vetëm profesionale, në përputhje me rregullat e UEFA-s, FSHF-së dhe interesin e klubit si përdoruesi zyrtar i stadiumit dhe organizues i ndeshjeve", thuhet në reagim.

Reagimi i plotë i KF Vllaznisë:

KF Vllaznia falenderon Federatën Shqiptare të Futbollit për sqarimin e fundit zyrtar drejtuar Bashkisë Shkodër, ku kërkohet qartësisht anullimi i koncertit të planifikuar në stadiumin “Loro Boriçi”, për të garantuar standardet dhe organizimin korrekt të ndeshjeve ndërkombëtare.

Njëkohësisht, çështja është adresuar edhe në selinë e UEFA-s në Nyon, ku përfaqësues të klubit kanë ngritur shqetësimin mbi situatën. Zyrtarë të UEFA-s kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre kundër zhvillimit të aktiviteteve të tilla përpara ndeshjeve europiane, për shkak të rrezikut që i kanoset fushës dhe kushteve teknike te komplet impjantit sportiv.

Përshëndesim vendimin e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, për të anulluar koncertin dhe ritheksojmë se kjo çështje nuk ka qenë kurrë personale apo politike, por thjesht dhe vetëm profesionale – në përputhje me rregullat e UEFA-s, FSHF-së dhe interesin e klubit si përdoruesi zyrtar i stadiumit dhe organizues i ndeshjeve.

Duke marrë parasysh afatet dhe protokollet ndërkombëtare, KF Vllaznia ka dorëzuar dje dokumentacionin zyrtar për zhvillimin e ndeshjes europiane në “Elbasan Arena”.

Ftojmë të gjithë tifozët kuqeblu që, si gjithmonë, të jenë pranë skuadrës edhe në Elbasan, me të njëjtin pasion dhe mbështetje të zjarrtë. Së bashku për Vllazninë, në këtë rrugëtim europian!

Le te kalojmë bashkë këtë tur dhe të rikthehemi në shtëpinë tonë për ndeshjet e ardhshme nderkombëtare dhe kombëtare, siç i ka hije Vllaznisë!

S.Dh/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD ankohet në Strasburg për zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK, si e vlerësoni?