Është krejt normale që gafat e gomarllëqet që bëjnë me okë njerëz të mazhorancës e administratës në vend të qësendisen e të tallen nga njerëz të medias, qytetarë të thjeshtë apo pjesë të shoqërisë.
Siç ndodhi me rastin e gafës së deputetit të PS-së Gogu në lidhje me Hajredin Pashën, që në një moment e kishte shkruar në faqen e tij sikur ishte heroi i këngës së famshme dibrane.
E pamë një zell e zulm tip batareje, ku nuk kursyen asnjë fjalë ndaj tij si nga gazetarë-influencër, që nuk bëjnë shkrime e raporte por thjesht hedhin rreshta ironike në Facebook, por edhe qëndrime të liderëve të opozitës siç ishte ai i Ilir Metës.
Po sikur deputeti në fjalë të ketë bërë thjesht një lapsus, po sikur të most a ketë hedhur vetë, por atë ta ketë bërë një person që paguhet për të punuar si zëdhënës për mediat dhe rrjetet sociale? Se në fakt, nuk kaloi shumë dhe statusi i Gogut u korigjua.
E këtu nuk bëhet fjalë fare për ta mbrojtur deputetin në fjalë, i cili realisht duhet të kishte shkruar dy rreshta: o vëllezër më falni se ja futa kot, po njerëz jemi edhe ja fusim katundit ndonjë herë. Se kemi kohë që kemi parë që njerëz të politikës, pushtetit api VIP-a të spikatur në vend as nuk njohin histori, as gjeografi, e as informacione krejt normale, që dikur fëmijët luanin me njëri-tjetrin në plazh me emra qytetesh, kryeqytetesh, filmash, librash etj.
Injoranca është sot udhëton kudo, e janë të rralë ata njerëz që kanë si dikur informacion të përgjitshëm e kulturë mbi historinë, kulturën, gjeografinë apo botën. Këtë e shikon edhe në media, ku mungesa e kësaj culture shikohet qartë si në shkrime e raportime, por edhe në analizat e paneleve, ku shikon çdo natë marina njerëzish që nuk njohin fare asnjë realitet lokal, jo më të analizojnë Ukrainën e konfliktin me Rusinë ku fusin pa pushim kumbulla e kodra pas bregut.
Nejse, përveç çështjes së Hajredin Pashës, një tjetër çështje që po diskutohet është edhe ajo e Vlora Hysenit, shefes së re të SHISH që propozoi Kryeministri Edi Rama.
Edhe për këtë çështje ka pasur thjesht statuse të shkurtëra apo edhe ndonjë shkrim të gjatë nga ndonjë gazetar, por që nuk ka thënë megjithatë asnjë informacion për kryespiunen e re.
Lubonja, po ashtu e lidhi këtë pa marrë fare informacion me maninë e Ramës për t’ja future Kurtit.
Por si për këtë çështje, edhe për të tjera, ka vetëm qëndrime sipërfaqësore, gjykime tik-toku, kështu sa për ta hedhur.
Si nuk ka deri tani një qëndrim të qartë për të nxjerrë realisht se çfarë opozita konteston në propozimin e kreut të ri të SHISH, ku e shikon problemin, si e mendon ajo modernizimin dhe natyrisht funksionimin si institucion të pavarur të shërbimit sekret, duke rritur edhe më shumë kontrollin e tij nga Parlamenti. i cili ka edhe një Komision për veprimtarinë e SHISH, ku mund ta thërrsin shefen e re e ta pyesin.
Siç mund ta pyesnin edhe Toni Gogun sot për postimin e tij, kur e takuan në Kuvend. Po sipas gjasave kanë qeshur e bërë shaka pa fund. “Na dhe punë për gjithë javën o pastor, i madh je”, ka gjasa që i kanë thënë.
Në fakt një opozitë nuk mund të funksionojë si një influencer tik-toku, por duhet të jetë institucion që jep analiza të thelluara mbi zhvillimet. Duke kritikuar padyshim fuqishëm problemet e budallallëqet pa fund që bëjnë në qeveri e mazhorancë, e të japin modele alternative zgjidhjeje. Por kjo nuk ndodh se prej vitesh, si Berisha ashtu edhe Meta, por edhe të tjerë, paguajnë vipat e instagramit për të bërë viralë problemet e qeverisë. Duke e kthyer politikën në një kopje të shëmtuar të BBV.