Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar Bandën Kombëtar Muzikore “Vatra” dhe themeluesin e saj, dirigjentin dhe kompozitorin Thoma Nasi, me Dekoratën “Nderi i Kombit.”, me motivacionin:
“Për sakrificat e kontributin e jashtëzakonshëm dhënë me ardhjen në Shqipëri, në pjesëmarrjen e tyre në Luftën e Vlorës në vitin 1920, për rolin që luajtën në forcimin e marrëdhënieve diplomatike e kulturore mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Meta u shpreh: “120 vullnetarë shqiptaro-amerikanë, të mbledhur dhe të përgatitur nga federata “Vatra” në SHBA, erdhën në Shqipëri për të dhënë ndihmën e tyre për çështjen kombëtare shqiptare, duke lënë Amerikën për të ndihmuar Atdheun edhe përmes muzikës e koncerteve të saj, që u shtrinë nga Shkodra në Gjirokastër, nga Elbasani në Korçë, për të dalë në Drashovicë ku ishte ndezur Lufta e Vlorës. Me këngët e saj, Banda Muzikore “Vatra” mbajti lart moralin e forcave që luftonin furishëm në Tepelenë, Drashovicë dhe kudo përreth qytetit të Vlorës”.
Kreu i Shtetit, në kuadër të kremtimeve të 100-vjetorit të luftës së Vlorës, ka vlerësuar edhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura me titullin e lartë “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”, me motivacionin:
“Si vijuese e traditës së madhe të muzikës patriotike, luftarake dhe marciale kombëtare të themeluar nga Banda Kombëtare “Vatra”,për popullarizimin me shumë sukses të krijimtarisë muzikore shqiptare dhe repertorit më të njohur ndërkombëtar në Shqipëri; si orkestra e shtetit shqiptar, që me cilësi artistike dhe disiplinë ushtarake, ka zbatuar në çdo kohë me përpikëri e përkushtim Protokollin e Shtetit Shqiptar, si formacioni muzikor unik që lartëson vlerat e Himnit dhe Flamurit tonë Kombëtar përmes interpretimeve dinjitoze e solemne”.
Presidenti Meta gjatë ceremonisë së dekorimit theksoi: “Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura është e vetmja orkestër frymore profesioniste në Shqipëri, pasardhëse e denjë e bandës "Vatra".
Ky shembull frymëzimi duhet të na shërbejë edhe sot për të rinjtë tanë, për profesionistët apo të gjitha kategoritë e shoqërisë që e duan atdheun, se pavarësisht fushave nga vijnë, mund t’i shërbejnë Shqipërisë, zhvillimit dhe përparimit të popullit shqiptar”.
"Me këngët e saj, Banda VATRA mbajti lart moralin e forcave që luftonin furishëm në Tepelenë, Drashovicë dhe kudo përreth qytetit të Vlorës.
Kjo luftë e pashembullt, ku luftonte një popull i vogël dhe i paarmatosur me një fuqi të madhe, kishte marrë përmasat e një betejë
epike. Dhe po epike u bë edhe kënga “Vlora-Vlora”, simboli i kësaj luftë.
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri më të lumtë dora!
Kjo këngë simbol, e kënduar nga Banda VATRA shoqëroi Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” dhe luftëtarët popullorë, më 3 shtator 1920, në manifestimet e fitores së luftës së Vlorës", tha Meta.