Kurora dhe mirënjohje për 92 të rënët e Kuçit në luftën e dytë botërore, por edhe përkujtimi i 77-vjetorit të luftës Nacional Çlirimtare kanë sjellë në një ceremoni dy kryebashkiakët e Vlorës dhe Himarës. Dritan Leli dhe Gjergji Goro, të shoqëruar nga deputeti Qarkut Edmond Leka , kanë përkujtuar këtë datë të rëndësishme për historinë e gjithë trevës. Ata janë ndalur për homazhet e rastit në varrezat e dëshmorëve të fshatit Kuç, të konsideruar si zemra e labërisë.
Për kryebashkiakun e Vlorës Dritan Leli, 92 djemë e vajza të rënë gjatë luftës së dytë botërore, janë simbol i qëndresës dhe dashurisë për atdheun.
"Varrezat e Kuçit janë simbol i qëndresës që kanë bërë këta njerëz, duke vendosur më të shtrenjtën gjë që kishin në jetën e tyre në themelet e shqipërisë moderne. Për mua është një emocioan që jam sot"- ka thënë Leli.
Ndërsa kreu i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro i ka cilësuar ngjarjet si më të rëndësishmet në gjithë trevën e Kurveleshit.
"Sot festojmë ditën e çlirimit të Kurveleshit, është në 25 qershor dhe jemi mbledhur sot këtu në këtë vend smbolik, në varrezat e dëshmorëve të Kuçiit dhe përkujtojmë atë ditë të shënuar ku bijtë dhe vajzat e Kurveleshit dhanë jetën për të çliruar këtë vend"-është shprehur Goro.
Edhe deputeti i qarkut Edmond Leka , u shpreh se është e rëndësishme të përkujtojmë me respekt dhe mirënjohje të gjithë ata që dhanë jetën që Shqipëria të jetë një vend i lirë.
25 Qershori, dita e Çlirimit të Kurveleshit është ditë e shënuar për trevën e Labërisë, ditë e cila përmendet në histori për rezistencën dhe kryengritjen e gjithë banorëve të kësaj treve malore.